Javën që vjen, pasi të rakordohen shumat në buxhetin e shtetit, pritet  vendimi i Këshillit të Ministrave për të përcaktuar se si do të jetë këtë vit Paketa e Solidaritetit. Fondi i vënë në dispozicion nuk preket për qëllimime të tjera, pret vetëm firmën e qeverisë për t’u shpërndarë.

Bëhet fjalë për shpërblimet e fundvitit, që do të marrin rreth 650 mijë pensionistë. Për këta të fundit, fondi i ndarë veç në buxhetin e këtij viti është rreth 18 milionë USD, pavarësisht faturës së kompensimit të përmbytjeve të fundit.

Pra paratë në buxhet janë dhe do të shpërndahen për festat e fundvitit. Shpërblimi i pensionistëve ka qenë një politikë konstante e të gjitha qeverive.

Ajo ka ndryshuar në varësi të situatës së buxhetit, por përgjithësisht janë gjetur paratë për të ndarë një shpërblim për pensionistët. Problemi i qeverisë është se krahas pensionistëve, do të duhet të shpërblejë edhe familjet e përmbytura, familjet në nevojë apo ata që marrin pagesa papunësie, si dhe disa shtresa të tjera vulnerabël. Paratë e “festave” do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë pensionistët.

Por shuma e kaluar në buxhet këtë vit, bën që shpërblimi të jetë mesatarisht 2700 lekë. Parashikohet që kjo shumë të subvencionohet nga buxheti, në mënyrë që pensionistët të marrin 3 mijë lekë shpërblim për festat. Vendimi i qeverisë do të përcaktojë kategoritë e pensionistëve që do të marrin shpërblim.

E sigurt është që shpërblimi do të ndahet brenda dhjetorit.

Datat e shpërndarjes do të caktohen me një udhëzim të ISSH dhe çdo pensionist, krahas pensionit mujor, do të marrë edhe shtesën prej 3 mijë lekësh. Sidoqoftë, edhe në rast se pensionistët për ndonjë arsye nuk e tërheqin shpërblimin brenda muajit dhjetor 2017, e drejta për ta marrë kalon edhe muajin tjetër, pra në janar 2018.

Grafiku, për shkak të traditës së këtij vendimi, është gati. Institucionet presin vetëm vendimin e qeverisë dhe kalimin e fondeve, për të bërë të mundur ndarjen e parave.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here