Drejtoria e Pwgjithshme e Tatimeve/ Funksionet e “Përfaqësuesve Tatimorë” dhe procedurat për regjistrimin

0
2

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi të publikuar në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” ka  dhënë informacion për rolin e përfaqësuesit tatimor.

Në këtë rubrikë janë publikuar të gjitha aktivitetet që ushtrohen nga përfaqësuesi tatimor, dokumentet që dorëzohen dhe procedura që ndiqet për çregjistrimin.

Në marrëveshjen e përfaqësimit duhet të specifikohen qartë të gjitha aktivitetet, të cilat mund të ushtrohen nga përfaqësuesi tatimor.

Funksionet

Ai të paktën, duhet të jetë i autorizuar:

-Të plotësojë faturat në emër të personit që përfaqëson, të pranojë faturat për transaksione për të cilat është i autorizuar;

-Të dorëzojë deklaratat e TVSH-së në Shqipëri në emër të personit që përfaqëson, si dhe deklarata të tjera tatimore kur ato i kërkohen nga legjislacioni tatimor në fuqi në Republikën e Shqipërisë;

-Të paguajë detyrimet tatimore dhe të marrë rimbursimet tatimore nëse ka të tilla në emër të personit jorezident që përfaqëson;

-Të mbajë regjistrimet e transaksioneve dhe t’i vendosë ato në dispozicion me kërkesë të administratës tatimore;

-Të veprojë në emër dhe për llogari të personit jorezident dhe ta përfaqësojë atë në kontrollet e mundshme të administratës tatimore;

-Të plotësojë të gjitha detyrimet që lidhen me TVSH-në në importe, eksporte dhe detyrime doganore, nëse ka të tilla.

Çregjistrimi i Përfaqësuesit Tatimor

Pasi ka përmbushur detyrimet tatimore, sikurse është parashikuar edhe në marrëveshjen e përfaqësimit, përfaqësuesi duhet të njoftojë me shkrim drejtorinë rajonale tatimore ku është regjistruar, se nuk do të veprojë më si përfaqësues tatimor. Njoftimi duhet të bëhet të paktën 15 ditë para se ai të pushojë së vepruari si i tillë. Përfaqësuesi tatimor duhet që në të njëjtën kohë të njoftojë edhe personin, i cili e ka caktuar atë. Ai nuk çlirohet nga përgjegjësia e tij personale për shkak të pushimit së vepruari si përfaqësues tatimor i personit jorezident.

“Ligji Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i Ndryshuar dhe Udhëzimi Nr.24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është baza ligjore që përcakton rregullat për të ushtruar aktivitet si Përfaqësues Tatimor në Republikën e Shqipërisë. Përfaqësuesi tatimor rezident mund të jetë një individ, një person fizik tregtar ose një person juridik. Personi i emëruar si përfaqësues tatimor ka të drejtë të veprojë në emër të kryesorit të tij (personit jo rezident) për të gjitha qëllimet që lidhen me tatimet. Ai është njëkohësisht përgjegjës për të përmbushur të gjitha detyrimet e tatimpaguesit jo-rezident që ai përfaqëson. Përfaqësuesi tatimor duhet të kërkojë të regjistrohet pranë drejtorisë rajonale tatimore, në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve, Sektori i Regjistrimit”, thuhet në rubrikën e publikuar nga Tatimet.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here