Autoriteti i Konkurrencës ka hartuar një draft rregullore të re “Për Kategoritë e Marrëveshjeve të Transferimit të Teknologjisë”. Në këtë dokument që tashmë u është dërguar palëve të interesit për konsultim janë bërë përafrimet me kërkesat e direktivës së Bashkimit Europian. Në thelb draft rregullorja ka në fokus sigurimin e konkurrencës efektive dhe siguri ligjore për ndërmarrjet, duke përcaktuar marrëveshjet e transferimit të teknologjisë të cilat përjashtohen nga ndalimi, vlerësimi i ndikimit të tyre në tregun përkatës si dhe evidentimi i rasteve kur këto lloj marrëveshjesh nuk përjashtohen.

Autoriteti i Konkurrencës është institucioni kyç që ndalon marrëveshjet mes palëve të cilat mund të shtrembërojnë konkurrencën në treg. Por në disa raste për shkak të specifikave që lidhen me të drejtat e patentës apo ekspertizës mund të bëhen disa përjashtime por kjo deri në atë masë që nuk shtrembëron konkurrencën në treg.

Përjashtimet, rastet kur mund të bëhet një marrëveshje

Konkurrenca nënvizon se marrëveshjet e transferimit të teknologjisë të lidhur ndërmjet dy ndërmarrjeve që lejojnë prodhimin e produkteve të kontraktuara, u njihet e drejta e përjashtimit nga kategoria e marrëveshjeve të ndaluara. Por përjashtimi zbatohet deri në masën që marrëveshjet e transferimit të teknologjisë përmbajnë kufizime të konkurrencës të cilat përcaktohen me ligj.

“Përjashtimi zbatohet për aq kohë sa të drejtat në teknologjinë e licencuar nuk kanë mbaruar apo të jenë deklaruar të pavlefshme ose, në rastin e know-how, për aq kohë sa know-how mbetet sekret. Megjithatë, në rastin kur know-how bëhet publik si rezultat i veprimit të të licencuarit, përjashtimi zbatohet gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëveshjes” thuhet në draft.

Kufizimet sipas pjesës së tregut

Ashtu si edhe tek rregullorja ekzistuese Konkurrenca ka vendosur kufizime tek pjesa e tregut për kompanitë që mund të hyjnë në marrëveshje. Kjo është parë në dy këndvështrime, kur kompanitë janë konkurrente dhe kur nuk janë të tilla.

“Kur ndërmarrjet, palë të një marrëveshjeje, janë ndërmarrje konkurruese, përjashtimi i parashikuar në nenin 4 të kësaj rregulloreje, do të zbatohet me kusht që pjesa e kombinuar e palëve në treg të mos tejkalojë 20% të tregjeve përkatëse.

Kur ndërmarrjet, palë të një marrëveshjeje, nuk janë ndërmarrje konkurruese, përjashtimi i parashikuar në nenin 4, do të zbatohet me kusht që pjesa e tregut e secilës palë të mos tejkalojë 30% të tregjeve përkatëse” thuhet në rregulloren e re.

Po kështu marrëveshja merr parasysh edhe kufizime të rënda, pra nuk lejohen marrëveshje që mund të fiksojnë çmimet kur produktet shiten tek të tretët, kur ka kufizim të prodhimit apo kur bihet dakord për shpërndarje tregjesh dhe klientësh.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here