Kur do të thahet ky “moçal toksik” i quajtur Ballkani Perëndimor? – Maksim Sinemati

 

 

Maksim Sinemati

 

SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), mbas një distancimi elegant shumevjeçar nga Ballkani dhe problemet e tij, më në fund, duket se e kuptuan se një prani e tyre më e madhe në rajonin tonë, jo vetëm që nuk do të jetë e tëpërt, por është edhe e nevojshme. Pak ditë më parë, Këshilli i Atlantikut të SHBA-së prezantoi në publik strategjinë e re amerikane për Ballkanin, në të cilën, sikurse shpjegoi nënpresidenti i Këshillit të lartpërmendur, Dejmon Uillson, SHBA-ja, bashkë me BE-në, do ta rrisin bashkërisht praninë e tyre në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që ta ndihmojnë këtë të fundit të stabilizohet dhe të ecë përpara.

Për të qenë me konkret, në raportin të quajtur “Ballkani përpara: Strategjia e re e SHBA-së për Ballkanin”, përcaktohen hapat konkretë që do të ndërmarrë SHBA-ja, me synimin të ndihmohet stabilizimi i këtij rajoni. Në këtë strategji parashihet një prani e përhershme ushtarake e SHBA-së në Evropën Juglindore, gjë, me të cilën do të tregohej përkushtimi i vazhdueshëm ndaj vendosjes së sigurisë në rajon dhe do të mundësohej ndjekja nga afër e zhvillimeve në vendet e rajonit. Baza ushtarake e Bondstillit në Kosovë konsiderohet si një zgjidhje mjaft e mirë në këtë drejtim, pasi forcat amerikane do të ndihmonin autoritetet lokale në luftën kundër terrorizmit dhe dhe do të ofronin ndihmë, në rast katastrofash humanitare, por, në të njëjën kohë, do të dërgonin edhe sinjalin e qartë se SHBA-ja është kundër rishikimit të kufijve të vendosur tanimë. Hapi i dytë, sikurse thuhet në strategjinë e lartpërmendur, është “afrimi historik me Serbinë”, por me kushtin që ajo të distancohet nga Rusia. Hapi i tretë, gjithashtu, interesant është kthimi i SHBA-së te roli i vërtetë i ndërmjetësit që, midis të tjerave, do të duhet që t’i rrisë përpjekjet që të zgjidhet mosmarrëveshje për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, si edhe që këta dy vende të bëhen, në të ardhmen, partnerë dhe aleatë mes tyre. Po ashtu, në strategjinë e mësipërme vihet në dukje së SHBA-ja duhet që t’i nxisë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit që ato të zhvillohen në kahun pozitiv që njerëzit, sidomos të rinjtë, ta shohin perspektivën e tyre jashtë lidhjeve me partitë politike.

Vetëm pak orë para publikimit të dokumentit të lartpërmendur në Uashington, komisioneri për zgjërmin të BE-së, Johanes Han, deklaroi se BE-ja është e predispozuar që t’i pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtraë me të drejta të plota në BE, pasi, kështu, do të mund të garantohen paqja dhe stabilizimi në rajon, por edhe për shkak të rëndësisë lidhur me kontrollin e migracionit dhe pengimin e kërcënimeve në fushën e sigurisë që variojnë nga ndërhyrja e Rusisë deri te përpjekjet e Islamit radikal që të përhapë influencën e tij në Ballkanin Perëndimor, si edhe për shkak të atraktivitetit të këtij tregu prej 20 milionë banorësh për BE-në… Hani, po ashtu, vuri në dukje se ai nuk e mbështet idenë e një BE-je me disa shpejtësi, sepse, sikurse theksoi ai, një gjë e tillë do të shkaktonte një shtresëzim të anëtarëve të saj, në vend që t’u lejonte anëtarëve më të dobët të arrinin një nivel më të lartë, gjë që do të forconte të gjithë strukturën e këtij organizmi politiko-ekonomik.

Sesa, sa më sipër, do t’i shërbejë një zgjidhjeje afatgjate dhe të përhershme për Ballkanin, tani, mbetet për t’u parë. Përfaqësues të Uashingtonit zyrtar, nga ana e tyre, nxituan që të deklarojnë se akademikët dhe specialistët të kësaj organizate,sikurse është e tillë Këshilli i Atlantikut, nuk kanë ndonjë rol vendimtar në definimin e politikës së jashtme amerikane dhe se debatet e idetë që prodhon ky Këshill, ndihmojnë opinionin dhe krijuesit e politikave që t’i kuptojnë më mirë problemet kyç, kudoqoftë, përfshi edhe Ballkanin Perëndimor.

Sa për kujtesë, edhe para disa vitesh, kjo organizatë ekspertësh (Këshilli i Atlantikut) që konsiderohet me influencë në Uashington, bëri rekomandime të ngjajshme, por, ndërkohë, nuk pati ndonjë lëvizje të dukshme të politikës amerikane në Ballkan. Gjatë kësaj kohe, në këtë rajon nuk ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor. Sidoqoftë, diçka, madje, më shumë se aq, ka ndryshuar, sepse është rritur prania në rajon e Rusisë që, në fakt, duhet të shërbejë si një motiv mobilizimi dhe veprimi për politikën e jashtme amerikane në Ballkan. E njëjta gjë duhet thënë edhe sa i përket BE-së që e ka lënë mënjanë këtë rajon, ku jo pak vende janë lënë prej një kohe të gjatë kandidatë për anëtarë të NAT0-s dhe të BE-së.

Sidoqoftë, duhet të pritet pak kohë që të kuptohet, nëse bëhet fjalë për një synim të sinqertë për ta tharë këtë “moçal toksik”, të quajtur Ballkani Perëndimor, ku lëvrijnë shumë përbindsha të së kaluarës dhe gëlon një vegjetacion helmues, apo bëhet fjalë për një përplasje të re të interesave të fuqive të mëdha?

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *