• Prej orëve të para të ditës së enjte, vendi ynë u përfshi nga një stuhi reshjesh të dendura, që kanë shkaktuar përmbytje në një pjesë të madhe të territorit.
    Reshjet e dendura të shiu rrezikuan jetën e 10 persona në zonën e Valiasit, në Tiranë. Forcat e Armatosura të ushtrisë, u erdhën atyre në ndihmë, duke i evakuuar dhe siç njofton Ministria e Mbrojtjes, ata u strehuan në qendrën shëndetësore të Komandës së Zall Herrit, ku po u jepet edhe ndihma e nevojshme.
    Më herët gjatë të enjtes, si pasojë e stuhisë që përshfiu Fierin, një elektriçist humbi jetën nga kontakti me rrymën. Edhe pse kolegët e dërguan 50-vjeçarin Sabri Vriga në spital, ai nuk arriti të mbijetojë.
    Në Shkodër tre punonjës të OSHEE u plagosen nga shpërthimi i një automati, në nënstacionin e qytetit, ku kishin shkuar për të rregulluar defektin që kishte lënë qytetin pa energji. Të plagosurit u transportuan në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa aty mbërritën edhe ministrat Gjiknuri dhe manastirliu, por edhe drejtori i OSHEE-së, Ardian Çelaj.
    Ndërkohë në këtë qark janë raportuar reshje me intensitet më të ulët, ndërsa probleme janë evidentuar vetëm në zonën e Anës së Malit, ku janë përmbytur disa parcela.
    Si pasojë e reshjeve, u përmbytën edhe akset nacionale. Kështu, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua pasdite për shkak se niveli i ujit shkoi deri në lartësinë e trafik-ndarëses. Për këtë arsye, policia devijoi trafikun në rrugët dytësore. Shumë mjete mbetën të bllokuara në rrugë, ndërsa niveli i ujit rritet. U desh ndërhyrja e Forcave të Armatosura, për zhbllokimin e rrugës. Edhe rruga drejt Rinasit pati probleme me trafikun, ndërsa autoritetet e aeroportit raportuan anulimin e fluturimeve, por edhe të mbërritjeve, për shkak të ujit të shumtë në pistë.
    Disa biznese në zonë janë përmbytur. Edhe në Tiranë ka probleme me banesat e ulëta, ndërsa për shkak të shikueshmërisë së ulët, ndodhi edhe ky aksident në Unazën e Re në Tirane, por pa viktima. Durrësi, Tirana dhe Lezha mbetën në mbrëmje pa energji. Dhjetëra persona mbetën të bllokuar në një qendër tregtare, në orët e mbrëmjes.
    Të vetmet automjete që kalojnë në rrugët dytësore Tiranë-Durrës janë makinat ushtarake dhe karoatrecët, pasi autostrada është e pakalueshme. Por edhe në këtë segment ka zona ku uji është mbi 1 metër.
    Rruga e Kombit, në zonën e Milotit është bllokuar për një kohë të gjatë dhe sipas drejtuesve të automjeteve, ndodhi edhe një aksident me pasojë tre të lënduar. Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave, kopshteve dhe çerdheve gjatë ditës së premte, ndërsa këshillohet që të evitohen udhëtimet edhe në zonat malore, ku rreziku vjen nga përrenjtë malorë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here