Mbyllet kompania Plus Communication, çfarë do ndodhë me klientët

 

 

Tregu i telefonisë celulare do të mbetet me tre operatorë. Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar transferimin e frekuencave të Plus Communication, operatorit të katërt në treg, tek dy operatorët më të mëdhenj, Vodafone Albania dhe Telecom Albania.
Konkurrenca bën të ditur se Plus Communication kishte kërkuar që në muajin korrik konsultim paraprak lidhur me transaksionin e pritshëm që do të ndodhte në tregun e telefonisë celulare. Ndërkohë edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kishte dhënë miratimin paraprak për transferimin e frekuencave dhënë në përdorim sipërmarrësit Plus tek dy operatorët e tjerë celularë dhe konkretisht Vodafone dhe Telekom.
Konkurrenca bëri të ditur edhe arsyen pse Plus kërkoi transferimin e frekuencave. “Për shkak të vështirësive financiare ndërmarrja nuk mund të vijojë më tej me investime për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe konkurruese ndaj konsumatorëve dhe duke pasur parasysh kërkesat e AKEP ndaj operatorëve të tjerë për të siguruar vijimin e ofrimit të shërbimeve të kontraktuara, kërkon të transferojë frekuencat në përdorim të saj tek operatorët e tjerë celular sipas Marrëveshjeve me këta operatorë”, thuhet në shpjegimin e Plus për Konkurrencën. “Gjatë gjithë viteve të operimit në treg, që nga viti 2010, shoqëria ka rezultuar me humbje të konsiderueshme…. Humbja e akumuluar në vite kapin shifra të konsiderueshme rreth 6.1 mln lekë dhe për këtë arsye aksionaret e shoqërisë kanë ndërmarre dy herë masa ristrukturimi të kapitalit për të mbuluar humbjet.”
Çfarë do të ndodhë me konsumatorët

Konkurrenca në raportin e saj bën të ditur se pas marrëveshjes pritet që rreth 208 mijë pajtimtarët aktive të Plus-it nga të cilët rreth 5.8 mijë pajtimtar me kontratë10, të jenë përpara zgjedhjes së njërit prej 3 operatoreve të mbetur në treg, por vlerësimi i saktë i treguesve të pjesës së tregut është e pamundur në këtë fazë për faktin se:

-Pas transaksionit, çdo klient i Plus do të pyetet paraprakisht për përzgjedhjen e operatorit që do të zgjedhe për marrjen e shërbimit në vijim.
– E drejta e portabilitetit të numrit, sipas kuadrit ligjor në fushën e telekomunikacionit, i jep liri zgjedhjeje çdo klienti në përzgjedhjen e operatorit që dëshiron.
– Ulja e tarifave të terminimit on-net/off-net do të ulë kostot e klientëve pavarësisht operatorit nga i cili përfiton shërbimin.
Sipas AKEP, pas realizimit të përqendrimit, pajtimtarët ekzistues, por edhe ata të rinj do të kenë mundësinë të përfitojnë shërbim celular me cilësor si rrjedhojë e shtimit të kapacitetit të spektrit në dispozicion të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *