Qeveria miraton dëmshpërblimin për ish-të dënuarit politikë. Fondi prej 352 milionë lekësh, i caktuar si shtesë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë do të shpërndahet brenda këtij viti. Pjesa më e madhe e fondit do të shkojë me qëllim akomodimin e shlyerjes 100% të këstit të tetë dhe të fundit të kategorisë parësore të përfituesve të gjallë dhe pjesën që mbetet do ta marrin trashëgimtarët. Vendimi është miratuar në Mbledhjen e fundit të Qeverisë, ndërsa shtesa e fondit dhe radha e pagesës në ndryshimet e buxhetit të vitit 2017, pak ditë më parë.

Vendimi

Qeveria vendosi miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë. Masa e dëmshpërblimit të bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Neni 12 përcakton: “Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë proporcionale për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 milion lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish- të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 mijë lekë. Asnjë ish-i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi”. Në pikën tre të vendimit thuhet se shuma e llogaritur do të transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në llogaritë personale të tyre të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2017, të ndryshuar. Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Sipas ligjit në fuqi Këshilli i Ministrave është autoriteti përgjegjës që miraton dëmshpërblimin financiar, në përputhje me këtë ligj, i cili me vendim përcakton gjeneralitetet përkatëse të ish-të dënuarit politik, llojin e dënimit, periudhën e plotë të vuajtjes së dënimit gjithsej në vite, muaj dhe ditë sipas rastit, shumën e dëmshpërblimit financiar dhe sipas rastit, gjeneralitetet e sakta të familjarëve të viktimave të pushkatuara si dhe masën përkatëse të dëmshpërblimit të tyre.

Dëmshpërblimi për të burgosurit e të dëbuarit politikë

Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë do të jetë si më poshtë:
a) Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991 dëmshpërblehet financiarisht sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë.
b) Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë.
c) Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon edhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here