Shumë grupime të biznesit: të madh, të vogël dhe të huaj, po marrin pjesë aktivisht në diskutimin e amendimeve që përmban Paketa Fiskale 2018. Ndërkohë, ato kanë sjellë edhe propozime jashtë këtyre amendimeve, në përpjekje për të përmirësuar, në interes të grupimeve të tyre përkatëse, por edhe të ekonomisë dhe shtetit, rregullat fiskale.
Në këtë kuadër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatat e Biznesit (Shoqata e Prodhuesve, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata e Turizmit, Shoqata e Fasonit, Shoqata e Kombëtare e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare, Shoqata e Transportit etj.,) pas konsultimeve për Paketën Fiskale 2018, kanë paraqitur një dokument të përbashkët, nëpërmjet të cilit kërkojnë që Kuvendi dhe qeveria të marrë në konsideratë 10 propozime.
Kështu, ata propozojnë që të bëhet një amnisti fiskale për legalizimin e kapitalit, deri në vitin 2015, e cila përfshin deklarimin dhe pagesën e detyrimeve për një afat 6-mujor për të gjithë kategoritë e tatimpaguesve dhe individëve me një tarifë tatim 2-5%, me bazë të gjerë dhe që përfshin, përveç biznesit, edhe individin, me përjashtim të individëve që kanë detyrim ligjor deklarimin në ILDKP. Biznesi i vogël që përfshihet në TVSH të vazhdojë të ketë prag përjashtimi 5 milionë lekë për kategoritë e shërbimeve, profesioneve të lira dhe të tjera, përveç aktivitetit tregtar dhe prodhues, tregtia me pakicë, të cilët të kalojnë me 0% TVSH. Për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë tatim fitimi të jetë 0%; për xhiro 2-14 milionë lekë, 5% tatim fitimi dhe subjekte me xhiro më të lartë se 14 milionë lekë, tatim fitim 10%.
Biznesi propozon gjithashtu që tatimi mbi të ardhurat për kalimin e pasurisë të jetë 0% për shitjen e shtëpisë (apartamentit) të parë, apo ku jeton individi për më shumë se tre vite; të gjithë shtëpitë e tjera e të tjera ndërtime me tatim 5%. Po kështu, taksa e pasurisë me aplikim mbi vlerën e tregut të jetë 0.05% për banesën ku jeton dhe 0.1% për apartamentet e dyta e me radhë. Kurse taksa e pasurisë për ambientet tregtare dhe zyra të jetë 0.15%, përveç kapanoneve dhe magazinave, të cilat duhet të trajtohen me 0.05% të vlerës.
Lidhur me tatimin mbi të ardhurat, dhomat propozojnë që ai të jetë për pagat në nivelin deri 35.000 lekë 0%, mbi 35.000-335.000 lekë 10%, mbi 335.000 lekë me 20%. Ndërsa mbi të ardhurat nga qiraja dhe çdo e ardhur tjetër, duhet të vendoset 5% tatim për të ardhura deri 14 milionë, 10% për të ardhura 14-28 milionë lekë dhe 20% mbi 28 milionë lekë.
Për të mundësuar dhe formalizuar punësimin e të rinjve, biznesi kërkon që pagesa e kontributit për një periudhë kalendarike 90-ditore, si për studentët gjatë verës (3-muaj korrik-shtator) dhe për stazhier vitin e parë të punësimit, të jetë në masën e kontributit për sigurimin shëndetësor dhe aksidenteve në punë, ose në total për 3.7% të pagës bruto. Po kështu, sugjerohet që të hiqet kufiri i detyrueshëm për pagën minimale të përcaktuar me VKM nr.399, pasi tregu i punës dhe disa aktivitete janë realisht nën këtë pagesë.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here