Rrezikohet pensioni për 200 mijë persona

0
111

 

 

Drama e pensioneve: Shteti nuk paguan sigurimet e punonjësve

 

Tatimet kanë publikuar së fundmi një listë me 63 institucione dhe ente publike, më së shumti bashki dhe 20 ndërmarrje ujësjellësi, të cilat nuk kanë paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore. Deri në fund të vitit 2016 janë akumuluar 14 miliardë lekë borxhe ndaj arkës së sigurimeve, teksa mbi 200 mijë punonjës do të vuajnë pasojat.
Ekspertët e ISSH-së u bëjnë apel punonjësve që të kryejnë verifikime, teksa mijëra dosje pensioni po shqyrtohen në Gjykatën Administrative

 

Blerina Hoxha

 

Zh. Preçi, një ish-arsimtare 63 vjeçe, prej dy vitesh rropatet nëpër procese gjyqësore për të fituar të drejtat e plota të pensionit. Për 40 vite rresht, që kur ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike, ajo ka punuar mësuese në një fshat të Tropojës. Gjithmonë e ka dashur punën e saj, edhe për faktin se të ardhurat në pleqëri do të ishin të sigurta, për shkak të garancisë që jep shteti në pagesën e sigurimeve.

Por drama ndodhi kur vitet e punës u plotësuan dhe mosha për daljen në pension erdhi. Libreza e mbushur me firma dhe vula nuk pati kurrfarë vlere, pasi në të vërtetë zonjës Preçi i mungonin 7 vite kontribute. Kjo përgjigje nga sigurimet rajonale ka qenë më shumë se një surprizë për të. Nuk pati asnjë mundësi të sqarohej se reforma territoriale ka ridimensionuar institucionet vendore dhe as personat dhe as dokumentet nuk gjenden më. Tani ka vetëm dy rrugë. Ose të përfitojë pensionin gjysmak ose të presë sagën e gjyqeve.

“E kam dashur punën në shtet dhe profesionin e mësueses, edhe për faktin se shteti është korrekt me detyrimet dhe se në pleqëri do të kisha pension të sigurt, ndryshe nga moshataret e mia, të cilat kanë punuar në privat. Por bomba më ka rënë kur mora vesh se paratë më janë mbajtur nga rroga, por sigurimet nuk janë paguar. Bëhet fjalë për mospagesa ndërmjet viteve 2000-2010”, thotë më tej ajo.

Si zonja Preçi, ka mijëra persona që janë në procese gjyqësore me Drejtoritë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërorë për vitet e munguara të punës. 40-vjeçarët e viteve 1990 po hasin në vështirësi serioze për të fituar të drejtat e punës dhe në dijeninë e tyre kanë qenë korrekt me zbatimin e ligjit dhe pagesën e kuotave të sigurimeve. Fenomeni i mospagesave të sigurimeve, që më parë ka qenë një tipar i kompanive private të biznesit deri sa pagesat bëheshin cash jo nga banka, vitet e fundit ka përfshirë institucionet shtetërore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në listën e borxhlinjve së paku 63 ente, kompani dhe institucione shtetërore që nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit.
Deri në fund të vitit 2016, DPT ka gjetur detyrime të papaguara të bizneseve dhe enteve shtetërore në masën e 14,1 miliardë lekë ose 103 milionë euro, vetëm në fushën e sigurimeve. Kjo shumë ishte sa 10% e borxhit tatimor të njohur gjatë vitit të kaluar. Megjithëse tatimet kanë marrë masa për arkëtimin me forcë të detyrimeve tatimore të prapambetura, mbledhja e tyre nuk e zgjidh problematikën personale që kanë punonjësit me vitet e “vjedhura” të punës.

Ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore pohojnë se mospagesa e sigurimeve ka qenë një fenomen i përhapur edhe për entet shtetërore, por ISSH vetëm sa administron fondin e pensioneve dhe nuk ka tagër ligjor për t’i dhënë fund kësaj situate dhe as ta riparojë atë. Thjesht Instituti i Sigurimeve nuk mund të azhurnojë pension të plotë nëse sigurimet nuk janë paguar.

Për të qenë pjesë e lehtësimit të procesit, ISSH-ja ka ndikuar në miratimin e një VKM-je që autorizonte entet shtetërore të paguajnë sigurimet e plota për punonjësit më të vjetër që më parë nuk i kishin paguar kuotat. Mirëpo edhe kjo masë nuk ka funksionuar. Ndërmarrjet e ujësjellësit, njësitë e pushtetit vendor, ndërmarrje komunale në varësi të pushtetit vendor, drejtoritë rajonale arsimore dhe ato të Shëndetit Publik nuk janë korrekte në pagesën e sigurimeve. Sipas të dhënave nga tatimet janë rreth 200 mijë persona në të gjithë vendin, një pjesë e të cilëve edhe në sektorin publik me sigurime të papaguara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here