Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Kalimi nga diktatura në demokraci realizohet nëpërmjet një faze tranzicioni. Ky tranzicion midis dy sistemeve karakterizohet nga kaosi.

Në tranzicionin kaotik nga diktatura në demokraci bashkëjetojnë në mënyra nga më asimetriket të këqijat më të mëdha të të dy sistemeve. Nga ndeshja e këtyre dy të këqijave varet zgjatja e tranzicionit dhe fati i demokracisë.

Kaosi është një gjendje e atillë në të cilën ekzistojnë premisa nga më kontradiktoret që përplasen midis tyre. Beteja zhvillohet midis moralit dhe imoralitetit, midis lirisë dhe dhunës, midis pasurisë dhe mjerimit, midis diturisë dhe injorancës, midis lumturisë dhe dëshpërimit, midis ëndrrave iluzive dhe realiteteve zhgënjyese, midis bukurive dhe shëmtirave, midis madhështive dhe poshtërsive, midis komikes dhe tragjikes…

Njerëzit në gjendjen kaotike ngjajnë trupa pa kokë ose koka pa tru, pasi e humbin shpesh orientimin. Në vend të vështrimit përpara bëhen nostalgjik të së kaluarës. Në vend të lirisë vlerësojnë diktaturën. Në vend të prosperitetit çmojnë mjerimin. Në vend të diturisë ngrejnë injorancën. Në vend të lumturisë nxitin dëshpërimin. Në vend të ëndrrave shpresëdhënëse zhyten në realitetet e përdhosura. Në vend të bukurive vlerësojnë shëmtirat. Në vend të madhështive çmojnë të ultat. Në vend të humorit të shëndetshëm ushqejnë tragjiken vdekjendjellëse.

Gjendja kaotike është një udhëkryq pa semafor. Në këtë udhëkryq e keqja i zë prite kujtdo, kurdo dhe ngado. Nga kaosi ndjehen te gjithë të kërcenuar, të përkohëshëm, të çvlerësuar. Nga kaosi ndjehen të gjithë pa të ardhme.

Fatkeqesi e madhe është kur në kryqëzimin pa semaforë qëndron një udhërrefyes pa busull, i cili në vend që t’i hapë rrugë njerëzve i përplas ata ndërmjet tyre. Udhërrëfyesit pa busull në kryqëzime janë më të këqij se vetë kryqëzimet pa semafor. Udhërrëfyesit pa busull prodhojne vetë kaos.

Udhërrefyesit në kryqezimet kaotike janë ata që marrin përsipër të udhëheqin popujt nga diktatura në demokraci. Përpara se të marrin përsipër rolin e udhërrëfyesve të popujve në këtë kryqëzim pa semafor udhëheqesit lypet parasëgjithash të pajisen vetë me busull.

Në gjendjet kaotike, në popujt e ç’orientuar, në kryqëzimet pa semafor dhe me udhërrëfyes pa busull tranzicioni mund të tejzgjatet, pra të këqijat e dy sistemeve, diktaturës dhe demokracisë mund të bashkëjetojnë pambarimisht. Fundin e kësaj bashkejetese midis të këqijave askush nuk mund ta parashikojë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here