Ecuria e depozitave gjatë vitit të fundit ka shfaqur dy dukuri të kundërta. Së pari, individët po i heqin kursimet me afat në lekë nga bankat, teksa prej disa vitesh normat e interesit nuk janë të favorshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë, të publikuara dje , tregojnë se stoku i depozitave me afat në lekë të individëve arriti në fund të muajit shtator 249 miliardë lekë (25% të totalit). Në krahasim me janarin e vitit 2013, depozitat kanë rënë me 26%, apo gati 650 milionë euro kanë daë nga bankat në kërkim të alternativave më fitimprurëse, si investimet në maturitete më afatgjata (mbi 2 vjeçare), blerjen e pasurive të paluajtshme,  letrave me vlerë të qeverisë etj.

Në të kundërt, bizneset po shfaqin një sjellje të re, teksa po rrisin depozitat që mbajnë në banka. Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtator,  stoku total i depozitave në total të bizneseve (koporratave jo financiare) arriti në 142, apo rreth 1 miliardë euro. Në krahasim me janarin 2013, stoku i depozitave të bizneseve është rritur me gati 80%, apo rreth 500 milionë euro më shumë. Kjo rritje e fortë e depozitave ka tërhequr dhe vëmendjen e autoriteteve që janë në kërkim të faktorëve, por shpjegimi më i mundshëm mbetet mungesa e alternativave të investimit (ndërtimi është sektori i vetëm që po tërheq investime për momentin), apo stepja e sipërmarrjeve për të hedhur para në ekonomi në një ambient të pasigurt dhe të  paqëndrueshëm. Një tregues është mbyllja e parave me afat dhe jo lënia e tyre në llogari rrjedhëse, ku mund t’i tërheqin sa herë t’i duan. Vetëm në shtator, bizneset futën në banka 3.3 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), si depozita me afat, duke shënuar rritjen më të lartë sesa çdo kategori tjetër të të gjithë sektorëve (individëve, kompanive shtetërore, korporatave financiare etj). Për krahasim, në total, në shtator depozitat nga të gjitha kategoritë u rritën me 1.9 miliardë lekë, apo vetëm 14 milionë euro.

Pesha e depozitave të biznesit arriti në 14.2% të totalit në shtator 2017, nga 8% që ishte në janar 2013.

Në total, stoku i depozitave në sistemin bankar në fund të muajit shtator arriti në 997 miliardë lekë, me një rrije të lehtë prej 0.2% në raport me muajin e mëparshëm, zgjerim që ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rritjes së fortë të depozitave të korporatave jo financiare, ndërsa kursimet e individëve vijojnë në tkurrje.

Me bazë vjetore (shtator 2017/shtator 2016), depozitat janë rritur me vetëm 0.14%, duke reflektuar ecurinë e dobët të kursimeve të individëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here