Biznesi do të ketë ndryshime edhe tek taksa e tabelës. Në paketën fiskale të vitit 2018, bëhet një riformatim i kësaj takse me një model që sipas relacionit shpjegues është huazuar nga Mali i Zi.

“Përsa i këtij ndryshimi, është marrë në konsideratë eksperienca e  Malit të Zi, i cili, bazuar në sipërfaqen e shtrirjes së tabelës, ka vendosur kategorizim të nivelit të taksës sipas madhësisë së tabelës.

Kështu, tabelat deri në një sipërfaqe të caktuar, taksohen në nivelin 100% të taksës. Mbi këtë sipërfaqe, për çdo diapazon rritje nga një sipërfaqe në tjetrën, niveli i taksës ulet në masat 85%, 75%, 55% dhe 40% ndaj nivelit 100%.

Gjithashtu, duke qenë se përgjithësisht tabelat ndahen në të thjeshta, me ndriçim dhe elektronike, niveli i taksës ndryshon me rritje sipas këtyre ndarjeve. Niveli më i lartë është për taksën e tabelës elektronike 100%, duke u ulur në nivelet 77% për tabelat me ndriçim dhe 44% për tabelat e thjeshta” thuhet në relacion.

Ministria e Financave e ka detajuar modelin në relacionin e saj ndërkohë që secili nga Këshillat Bashkiakë ka të drejtë që brenda një tavani dhe dyshemeje të aplikojë vlera të tjera të taksave vendore.

Buxheti i njësive vendore preket këtë herë në tre taksa ku konkretisht për taksën e ndërtesës synohet që efekti të jetë pozitiv, përjashtimi nga taksa e infrastrukturës për hotelet me 4 dhe 5 yje me status special efekt negativ dhe për taksën e tabelës pa një vlerësim paraprak.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here