Nga Ermir HOXHA

Shoqëria shqiptare po përjeton një tjetër shock këto orë, siç shumë në këto 25 vite, por më shumë akoma vitet e fundit, pasi përgjimet e bisedave të narkotrafikantëve, mes tyre Habilajt e famshëm, kanë nxjerrë dhe emrin e ish-ministrit Tahiri.

Dhe në emër të shpresës që gjithsesi nuk duhet të vdesë, pasi është një lloj frymëmarje shpirtërore për ta mbajtur veten të gjallë në një varrezë morale, siç është shndërruar Shqipëria, por jo vetëm ajo, gati një botë e tërë sot, një instikt mbijetese po shpirtëror, të thotë të mos e besosh atë që përflitet.

Për të qenë të saktë, të sinqertë e të vërtetë, Shqipëria e tranzicionit është ndër të tjera edhe një histori droge. Ç’shikoni rreth e rrotull që bie era kapitalizëm, zhvillim, shprehur sidomos në ndërtime e komplekse luksose, ka në rrënjë paranë e fëlliqur. Do ju mjaftonte për këtë aksi Ura e Dajlanit – Mali i Robit, ku miliarda janë hedhur si mos më keq, shprehje tipike urbane se si pastrohen paratë e punëve të pista.

Pra, droga nuk është një histori e vonë, e që lidhet domodoshmërisht me pushtetin aktual. Siç tha dhe ish-komisar Zagani nga ekzili, Habilajt kanë prej fundit të viteve ’90 që merren me trafiqe.

Po ashtu, nuk ka pasur kurrfarë dyshim se politika është e mpleksur me krimin dhe trafiqet, dje dhe sot; por dramatikja në rastin e pushtetit socialist të këtyre 5 viteve, është mospërputhja e llahtarshme mes një ligjërimi cilësor politik, mbushur me terma morale, adresues fantastik problematikash, artikulues mjeshtëror realitetesh, ngacmues brilant ndjesish shoqërore (i tillë ishte dhe fjalimi i fundit i Tahirit në Asamblenë Socialiste), me atë çfarë ndodh në realitet, aty ku njerëzit e prekin çdo ditë të vërtetën e gjërave.

Droga vetë si fenomen, u përcoll me një paradoks të tillë, me këtë mospërputhje, që në rastin kur teksa Lazarati shkërmoqej, të tjerë Lazaratë ngrinin krye anekënd; ose që kur policisë i thurrej elozhe, si “e kthyer në detyrë”, “e rilindur”, “e besueshme”, në terren, krerë të saj ishin kokë e këmbë në trafiqe droge.

I gjithë ky realitet kundërthënës, ka prodhuar atë që pak thuhet, pak ose aspak komentohet, por që është treguesi më i madh i dështimit të deritanishëm të qeverisjes “Rama”: vrasja e shpresës, duke mos arritur që të promovojë një moral të prekshëm qeverisës, si një shans dhe për ngritjen apo themelimin e një morali të ri shoqëror.

E bukur dhe lapidare ajo thënia e atij plakut të urtë bregdetas, të cilën Rama e citon në Kurban-in e tij: “Shqipërinë më të varfër e kam parë, por kurrë më të çoroditur!”.

Që do të thotë se nuk ka qenë dhe nuk është ekonomia përcaktuesja kryesore, ose vetëm ajo, e një pezmi të rëndë kolektiv që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare. Është krejt diçka tjetër, por që qasja vetëm materialiste e problemeve nuk e lë të vihet në dukje: morali i munguar!

Kjo, duke nisur që nga lart, nga fryma, që edhe në e barttë moralin, nuk gjen shtrirje poshtë, tek njerëzit, tek jeta e përditshme e tyre. Nuk ka asnjë lidhje ajo çfarë kumton Rama, sigurisht dhe Tahiri, nga majat e pushtetit, nga qendra me fjalë të tjera, nga ajo çfarë ndodhë poshtë, në bazë, ku të punësuarit në administratë nën siglën e partisë, ngjajnë me paramilitarë politikë që nuk e kanë pikën e moralit në detyrën që bëjnë, pa përfshirë këtu grykësinë e çmendur.

Kujtoni se sa shpejt u fashit entuziazmi shoqëror pas ardhjes në pushtet të së majtës më 2013-ën, dhe pse ndodhi? Sepse ndarja e tepsisë, emërimet më saktë, shpërfaqën jo moralin e ri politik të promovuar me bujë, por një vazhdimësi dramatike të grykësisë, paaftësisë e dobiçllëkut nga skalionet partiake në aleancë të re me njëra-tjetrën.

Ndërsa nga ana tjetër, “bërja shtet”, ku të pambrojturit i tregohej forca e ligjit (vendosja e rendit shihej tek vendosja e rripit të sigurimit(!)), kishte si zhvillim paralel trimërimin e krimit, forcimin e të fortëve, dhe padyshim shtimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis. Ishte kjo mospërputhje, ky lloj teatri absurd, tregues se drejtësia shoqërore, si përcjellëse e një morali të ri qeverisës, po pësonte një goditje akoma më të madhe. Më e çmendur kjo, kur teksa drejtësia tentohej të rregullohej me ligje (reforma e famshme në drejtësi), ajo mungonte tërësisht si princip në frymën qeverisëse. Dhe ja ku jemi sot.

Saimir Tahiri, edhe në daltë i pafajshëm nga ndonjë hetim, nuk e shlyen dot bindjen se ai, ose dhe pushteti që përfaqson, nënshkroi një nga faqet më të errëta në historinë e politikës shqiptare: drogëzimin gjethor dhe mental të një shoqërie. E bëri në mungesë të një flamuri moral në qeverisje, duke mos mbjellë kështu as moral ndër njerëz.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here