Prof. Dr. Bajram Hysa

Historia e universiteteve, si çdo histori e njerëzimit, është një grumbullim idesh dhe inovacionesh të mëdha, një  fenomen suksesi, që evoluon nga brezi në brez. Edhe historia e universiteteve shqiptare lidhet padyshim me narrativën e civilizimit perëndimor që shoqëria shqiptare, nën qeverisje të ndryshme, të paktën këto 27 vitet e fundit,  ka përdorur, për të shpjeguar vendin e saj në botë dhe në kohë. Kjo narrativë  duhet të jetë besimplotë e progresive, përderisa aspirojmë të bëhemi një vend i Bashkimit Evropian.

Narrativa e civilizimit perëndimor vjen me disa vlera të caktuara – rreth rëndësisë së diskutimeve të arsyeshme, rëndësinë e të drejtave të arsimimit universitar, si një e drejtë themelore dhe bazike për zhvillimin demokratik e social- kombëtar, të padominuar nga autokratizmi dhe mungesa e autonomisë. Fytyra e universiteteve tona vendos një standard për vendin, tregon se sa i civilizuar dhe kreativ është ai. Ai u jep bashkëkombasve tanë, njerëzve të ndryshëm, ndjesinë e një misioni të përbashkët për një qëllim  të përbashkët, vendos kornizën brenda të cilit duhet të mbahet imazhi reformues dhe demokratik i shoqërisë, dhe më e rëndësishmja është se universiteti dhe dija që prodhon ai vendos një set qëllimesh të përbashkëta.

Është paradoksale dhe e dhimbshme që shumë njerëz, sidomos në institucionet e arsimit të lartë, të humbasin besimin në  thelbin e dijes dhe misionin e universiteteve.  Është tragjike që pedagogët dhe gjithë trupa akademike të ndalojnë së transmetuari tek studentët  vlerat perëndimore dhe rripi i madh kulturor i transmetimit të hollohot, apo dhe të thyhet, si pasojë e trysnisë së një ligji absurd, të miratuar në vitin 2015. Është e habitshme sesa efekte të zgjeruara mund të ketë e gjitha kjo. Ndodh sikundër një erë e fuqishme, që u jep shpejtësi të gjitha anijeve në det, të ndalë papritur së fryri.

Gjithnjë e më shumë qeveritarë përfshihen në jetën akademike të universiteteve shqiptare dhe sistemi ynë arsimor nis e politizohet, fillon t’u përngjasë atyre të shteteve të drejtuara nga klanet tregtare me bazë familjare. Më pas vjen rënia e akademizmit, duke shkaktuar një krizë të menjëhershme. Ka pasur  mbrojtje vetëm  nga zëra të vetmuar.

Neni i parë i ligjit të ri për Arsimin e Lartë thotë se Arsimi i Lartë është e mirë dhe përgjegjësi publike.Athere përse duhet të zhytet ai në krizë?

Universitetet tona pikë së pari kanë filluar të vuajnë krizën e besimit nga tregun e punës, që në fund të fundit duhej të ishte edhe vlerësuesi real i tyre. Matësi më i mirë i universiteteve, i cilësisë dhe vlerës që ato kanë, është veçse i tregu i punës, aty ku studenti do të mund të “marrë mbrapsht” investimin e kryer për 4-5 vite studime të larta.

Kompanitë e mëdha në vend, që operojnë me standarde ndërkombëtare të punësimit, kanë preferuar që të ngrenë strukturat e tyre në selektimin e punonjësve të rinj, përmes programeve të dedikuara, apo testimeve të ndryshme. Universitetet vendase nuk kanë arritur ende atë status dhe atë emër të besueshëm që të bindin bizneset të punësojnë pa mëdyshje studentët e tyre, siç ndodh në shumë universitete të njohura ndërkombëtare.

Studentët përzgjidhen pas një testimi nga stafi, por ajo që vihet re është mangësia në praktikë.

Ndërkohë, në vend ka mjaft biznese që vazhdojnë të mbeten kategorikisht kundër universiteteve shqiptare, publike apo private qofshin. Mjaft drejtues të bizneseve të mëdha vend tregojnë se në rekrutimet e punonjësve të rinj, të parët në listë janë studentët e diplomuar jashtë vendit, më pas ata që diplomohen nga Universiteti i Tiranës, ndërsa të diplomuarit nga privatët, shpesh përfundojnë në “kosh”.Një  mangësi që vihet re te studentët që kanë studiuar në Shqipëri është mungesa e aftësive praktike dhe njohja e tendencave bashkëkohore të tregut dhe biznesit. Ndaj organizimi i praktikave mësimore çdo vit dhe jo thjesht në vitin e fundit, përditësimi i teksteve akademike dhe organizimi i leksioneve të  hapura me drejtues të biznesit, do të rriste aftësinë  konkurruese të studentëve në tregun e punës. Në të gjitha vendet e zhvilluara në botë, rankimi i universiteteve, masterave, etj, bazohet tek punësimi dhe karriera që kanë studentët që diplomohen prej tyre, por në Shqipëri, kjo duket ende diçka e largët.

Sistemi  ynë universitar ka “armiq” mediokritetin, lidhjen e dobët të kurrikulave me tregun e punës, formalitetin e fiktivitetin e diplomave, mungesën e kushteve të domosdoshme për të realizuar standardet që kërkohen sot, cilësinë e pedagogëve dhe gjendjen e mjeruar të laboratprëve e bibliotekave për ushtrimin e praktikës dhe kërkimit shkencor. Në politikën e qeverisë për arsimin duhet riparë me realizëm prirja e masivizimit të sektorit publik në kushtet e mosplotësimit të standardeve për zhvillimin e mësimit. Nëse sektori publik do të plotësonte kushtet logjistike dhe ato akademike për më shumë pranime, le të bëhen.

Si pasojë e mungesës së cilësisë së arsimimit dëmtohen të gjithë, si private dhe publiku.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here