Arbër AGALLIU

Shumë prej jush më shkruajnë për të ditur se cfarë parashikon ligji i ri i dhënies së shtetësisë italiane, i cili aktualisht pritet të diskutohet në Senat dhe kush mund të përfitojë nga kjo reformë. Përfitova nga rasti dhe mendova të realizoja një mini video për t’ju shpjeguar c’është IUS SOLI.

Fëmijët e shqiptarëve të lindur në Itali mund të përfitojnë shtetësinë italiane duke mos e humbur atë shqiptare. Në vitin 1992 në Spanjë luheshin Lojërat Olimpike “Barcelona ’92”. Në Amerikë Bill Clinton emerohej President, Guns’n’Roses këndonin hitin madhështor November Rain.

Ushtarët serbo-boshnjakë sulmonin Sarajevon. Në Shqipëri Partia Demokratike fitonte zgjedhjet dhe Aleksandër Meksi emerohej Kryeminister, Sali Berisha President.

Kurse Viktor Tahiraj këndonte “Veç atëherë jam i qetë” në Festivalin e 31 të këngës. Ndërkohë Italia sapo kishte emëruar presidentin e ri, Oscar Luigi Scalfaro, dhe bëhej gati të firmoste bashkë me shtete të tjerë traktatin e Maastricht-it, ndërsa në Sicili Mafia godiste pa mëshirë duke vrarë gjykatësit Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Po në këtë vit, qeveria italiane nënshkuante ligjin e shtetësisë italiane, ligji i 5 shkurtit 1992 nr 91, një ligj ky që do të mbante peng në vitet e ardhshme me qindra mira fëmijë të emigrantëve. Po në ato vite, italianët njiheshin me emigracionin e parë masiv, ku me mijëra shqiptarë mbërrinin në brigjet e Puglia-s. Sot shqiptarët konsiderohen si komuniteti i dytë më i madh nga gjithë komunitetet e huaja që ndodhen në Itali.

Pas 25 vitesh, shqiptarët jo vetëm janë stabilizuar, por janë edhe nga më të integruarit në Itali. Shumica e fëmijëve të tyre, jo vetëm të miturit, por edhe të rriturit, kanë lindur në Itali, zoterojnë italishten dhe në Itali vazhojnë të shkollohen, por kjo nuk mjafton për Shtetin italian për t’i dhënë shtetësinë italiane këtyre të rinjve të quajtur “seconda generazione”, gjenerata e dytë e emigrantëve.

Në të vërtetë, ata jo vetëm që nuk kanë emigruar si prindërit e tyre, por detyrohen të pësojnë një racizëm istitucional duke mos pasur të njëjtat mundësi të bashkëmoshatarëve të tyre italianë dhe duke ngelur peng të ligjit të vjetër të shtetësisë.

Ata vazhdojnë të rinovojnë dokumentet dhe të aplikojnë për shtetësinë italiane si prindërit e tyre, duke pritur 10 vite dhe duke mos ju njohur kështu procesi i integrimit shkollor në Itali. Me ligjin e ri, të ashtuquajturin “IUS SOLI”, reforma e ligjit 91/1992, këta të rinjtë, jo vetem shqiptarë, që sot janë rreth 815.000 do t’u lehtësohet marrja e pasaportës italiane.

Të gjithë ata fëmijë të lindur në Itali nga prindër me shtetësi të huaj, me njërin prej prindërve me leje qëndrimi BE afatgjatë, me një punë që i garanton të ardhura dhe një kontratë të rregullt vendbanimi, ata fëmijë mund të pajisen me pasaportë italiane pasi prindërit të bëjnë kërkesë për ta. Mundësi për t’u pajisur me pasaportë italiane do të kenë edhe fëmijët e emigrantëve të cilët kanë mbërritur në Itali para moshës 12-vjecare dhe kanë zhvilluar këtu një cikël 5-vjeçar shkollor.

Ndërsa për fëmijët e emigrantëve, të cilët kanë mbërritur në Itali nga mosha 12 deri në moshën 18-vjeçare, do të mjaftojë të kenë jetuar në Itali rreth 6 vjet dhe të kenë mbaruar një cikël shkollor prej 5 vitesh për të patur edhe stetësinë italiane, në këtë rast nuk bëhet më fjalë për “ius soli” por “per ius culturae”.

Kjo reformë është një reformë që në vendet e tjera të Europës është realizuar mbi 10/15 vite më parë, dhe u jep mundësinë fëmijëve të emigrantëve të ndihen të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre italianë. Shpresoj që gjeneratat e reja mos të përjetojnë atë që kemi jetuar ne dhe mos të ndjejnë aspak peshën e racizmit mbi supet e tyre.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here