Buxheti dhe paketa fiskale në qeveri në fund të muajit tetor / Ministri Ahmetaj:  Taksa e re e pasurisë, jo nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta

0
55

 

“Ajo që përmban drafti është kalimi nga taksë fikse në referencë të vlerës”

Qeveria po bëhet gati të përfshijë në Paketën Fiskale 2018 taksën e re mbi pronën, por ende nuk po shpjegohet se kur do të fillojë ajo së funksionuari.

Ministria e Financave tashmë ka hartuar vendimin për taksën e pronës.  Ajo do të vendoset mbi vlerën reale të tregut që është shtëpia dhe do të vilet përmes faturës së energjisë elektrike. Për vitin 2018-të ky tatim i ri do të nisë të mblidhet fillimisht në bashkinë e Tiranës, e cila ka edhe numrin më të lartë të pasurive të patundshme dhe njësive tregtare.

Edhe pse ende ministria e Financave nuk ka përfunduar ende draftin, ministri Ahmetaj siguroi dje se nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta. “Ajo që përmban drafti është kalimi nga taksë fikse në referencë të vlerës”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) si dhe taksimi i pronës për shtëpi të dyta do të jenë dy nga politikat e reja fiskale të bëra publike nga vet ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. Buxheti i vitit 2018 si dhe paketa fiskale që do ta shoqërojë atë do të shkojnë në qeveri për miratim në fund të muajit tetor.

Në bazë të ligjit “për buxhetin”, ministri i Ekonomisë dhe Financave i paraqet për miratim Këshillit të Ministrave projektbuxhetin vjetor, me tavane trevjeçare, mbi bazën e programit buxhetor afatmesëm, bashkë me programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar.

Projektbuxheti vjetor përmban dokumentacionin bazë dhe dokumentacionin shoqërues që lidhet me fondet buxhetore, të parashikuara sipas programeve buxhetore për çdo njësi të qeverisjes qendrore, për vitin e ardhshëm, të ndara në korrente dhe kapitale, një tabelë përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit, sipas zërave kryesorë, për dy vitet e mëparshme fiskale dhe tre vitet e ardhshme, numrin e punonjësve buxhetorë, për çdo njësi të qeverisjes qendrore, për vitin e ardhshëm si dhe transfertën e pakushtëzuar për çdo njësi të qeverisjes vendore, për vitin e ardhshëm, vetëm totalin e transfertës, për vitin e dytë dhe të tretë të PBA-së.

Brenda muajit tetor, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar. Nëpunësi i parë autorizues, brenda 10 ditëve, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të buxhetit vjetor dhe programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, njofton çdo njësi të qeverisjes vendore dhe çdo njësi të fondeve speciale të qeverisjes vendore për transfertat nga njësitë e qeverisjes qendrore dhe pjesën e madhësinë e taksave kombëtare, të ndara në projektbuxhet.

Javen e parë të muajit nëntor, Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektbuxhetin vjetor. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave publikon informacionin e plotë të projektbuxhetit vjetor. Projektligji i buxhetit vjetor miratohet nga Kuvendi, brenda datës 20 dhjetor.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here