Pas stabilitetit të shënuar vitet e fundit, tregu i qirave në kryeqytet po orientohet drejt apartamenteve luksoze me kosto nga 600 deri 1.200 euro në muaj. Ekspertja e pasurive të paluajtshme, Ilda Rusi, thotë se është rritur vit pas viti numri i klientëve më të ardhura të bollshme të gatshëm të paguajnë 600, 700, por edhe 1,200 euro në muaj për banesa luksoze në zonat më të kërkuara të kryeqytetit.

“Qiratë fillojnë me 350-400 euro, shkojnë dhe 1000-1200. Pastaj flasim për superapartamente me superinvestime që shkojnë në vlera dhe më të mëdhaja. Më përpara ka qenë dhe një psikozë që vetëm të huajt marrin apartamente të shtrenjta. Jo, unë ju them me shumë pozitivitet që ne kemi klientë shqiptarë, të cilët marrin apartamente të shtrenjta me qira dhe i mbajnë mirë ato apartamente. Janë njerëz që kanë studiuar, që kanë eksperienca jete, ndoshta dhe në perëndim dhe jashtë vendit, që merren me biznese, që mund të jenë përkohësisht në Shqipëri dhe nuk e shikojnë të udhës të ngurtësojnë kapitalet e tyre imobiliare. Janë të gjitha shtresat” , tha ekspertja.

Stabilitet, sipas Rusit, ka njohur edhe tregu i ambienteve për zyra e për biznese. Pjesa dërrmuese e qendrave të biznesit kanë ulur çmimet për t’iu përshtatur kushteve të tregut. Gjithsesi, ajo thotë se ka ende qendra që i mbajnë çmimet shumë të larta, deri në nivele abuzive.

“Mendoj që kemi arritur në vlera të logjikshme të qirasë, pra qiradhënësit janë bërë akoma më racionalë për produktin që kanë dhe jetëgjatshmërinë e biznesit që po e merr atë ambient. Çmimet janë më të stabilizuara se ç’kanë qenë dhe ka një koherencë të çmimeve brenda zonë, brenda unazës. Ato që janë kati 0 fillojnë nga 6-7 euro deri në maksimumi 20 euro, zona nefralgjike siç mund të jetë blloku ose disa qoshe që janë shumë të ekspozuar nga lëvizshmëria e klientëve. Ato qendra biznesi, të cilat të themi kërkojnë ndoshta dhe përtej mundësive paguese të biznesit shqiptar rezultojnë me 30 ose 40% hapësira të padhëna, ndoshta dhe më shumë, të cilat qëndrojnë bosh”, u shpreh Rusi.

Stabilitet ka shënuar edhe pjesa tjetër e tregut të qirave. Për apartamentet me hapësirë banimi 1+1, çmimi mesatar është rreth 250 euro, ndërsa në zonat më pranë qendrës, rreth 300 euro.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here