Në Shqipëri nuk ka investime të huaja se paguhen rroga të huaja! Nga Arian Galdini

Sociale

 

Nga Arian Galdini

Kur kam lexuar për herë të parë nga Koliqi, Tregëtarin e Flamujve, më është mbushur shpirtibme zemëratë. I ndikuar edhe nga historia e tij personale me fashizmin, mendova se ai njeri i ditur, nuk kishte asnjë dëshirë që ti frymëzonte lexuesit e tij.

Përkundërazi, në ç’ka shkruante, fshihte një ngucje të ligë dekurajuese.

Isha shumë i ri, kur e lexova për herë të parë.

Sot, ndërsa sapo kam kaluar te 40-tat, më vjen krejt ndryshe ai tregim.

Më vjen si një foto e pandryshueshme 105 vjeçare e vendit tim.

Që ditën e parë që thamë se bëmë shtet, nuk kemi rreshtur së ripërsërituri se po bëjmë apo do të bëjmë shtet…

Të gjithë udhëheqësit tanë, pa përjashtim, nga Ismail Qemali e deri tek Edi Rama, e kanë pasur shtetbërjen si një lajtmotiv çuditërisht mrekullibërës.

Në fund, të gjithë kanë ikur, edhe Edi Rama do të ikë, e pasardhësi menjëherë ka shpallur se ai dhe vetëm ai di e do të bëjë shtet.

Pse ky kompleks i Ditës së Parë të Shtetbërjes, po na mban kaq të ligësht dhe të ngërthyer pas rrobës së policit e skërrmitjes së taksidarit? Pse?

Pas 105 vitesh, ditë e parë e shtetbërjes, çdo ditë, 1/3 e shqiptarëve e kanë braktisur Shqipërinë, e sot sipas Barometrit Ballkanik, gjysma e atyre që kanë mbetur, duan të ikin një orë e më parë.

Si mund të vazhdohet më kështu?

Si mundet që me çdo lider e parti që fiton apo mëton fitoren, neve na duhet të jetojmë çdo ditë, ditën e parë të shtetbërjes dhe të mbajmë mend se i vetmi mëngjes shtetëror që kemi parë ka qenë me mbret e xhandar dhe dreka e muzgu kanë qenë me diktator, sigurimsa dhe organizata bazë partie…?

Kjo marrëzi duhet të marë fund, përndryshe më keq do bëhet.

Sinqerisht që në këtë pikë ku jemi, nuk e di sesi mund ti jepet fund kësaj marrëzie, por e di që po nuk e gjetëm mënyrën ta ndalim, atëherë të gjithë do të bëhemi të marrë, ose kush do të shpëtojë, do të ikë nga ky vend.

Ne nuk dalim dot nga kllapia e ditës së parë të shtetbërjes, sepse ne udhëhiqemi e jemi udhëhequr që ditën e parë, nga një shumicë dërrmuese “tregëtarësh të flamujve”.

Pak shumë pak histori njerëzore dhe politike për udhëheqësit tanë, kam lexuar ku ata të mos jenë rrogëtarë të grekut, malazezit, serbit, latinit, nemses, inglizit, francezit, turkut, etj, etj, etj,

Afërmendsh, rrogëtarët nuk kanë të drejtë të mendojnë.

Paguhen për të zbatuar, jo për të menduar.

Ngase kemi shumë rrogëtarë të tillë, në politikë, media, kulturë, institucione, ojf, etj, etj, ne jemi një shoqëri që jetojmë sipas axhendave rrogëfituese të të gjithë mëditësve, kudo  e të kujtdo që i kemi.

Kjo është edhe arsyeja pse kemi kaq shumë fushata linçimesh apo lëvdimesh, të cilat na gllabërojnë të gjithëve si shoqëri reale dhe si shoqëri virtuale.

Kur ne përfshihemi në sharje a lëvdata, në gjithëfarë debatesh e fushatash që ndizen këtu, ne në fakt u bëjmë një nder të madh rrogëtarëve që puthin prapanica e kinde të huajsh e nuk duan tia dinë fare për vendin dhe gjindjen e tyre.

Këtë skemën e rrogëtarëve tek të huajt, kanë filluar ta konkurojnë në Shqipëri edhe Mafia, Krimi dhe Partitë Politike.

Të gjithë kanë hisenë e tyre të rrogëtarëve.

Kush do pushtet për plaçkë dhe rrogë, nuk ka as qëllime të mbara, as dëshirë, as vizion, as ideale, as parime, e madje as mundësi për ti shërbyer vendit, kombit, shoqërisë.

Sipas meje kjo është edhe arsyeja bazë se përse në Shqipëri nuk ka investime të huaja.

Ne udhëhiqemi nga mediokër e batakçinj që duan pushtet për të bërë plaçkë dhe rroga të majme për të bërë qejf.

Asnjë vend i huaj, nuk çon investime aty ku ka udhëheqës që u paguan rrogat.

Ta ndajmë mendjen e të kthjellohemi për këtë.

Përsa kohë shumica dërrmuese e udhëheqësve tanë do të jenë rrogëtarë tek të huajt, mafia, krimi apo partitë, për aq kohë investimet e huaja do të jenë vetëm offshore me emërhuazues që vijnë vetëm të pastrojnë paratë e plaçkëbërësve që kemi në krye të vendit.

Ky soj nuk duan e nuk munden të synojnë, kërkojnë apo punojnë për zhvillimin dhe dinjitetin e Shqipërisë.

Ky soj janë tregëtarë flamujsh që janë shpirtmbyllur për vendin dhe gojëshqyer për plaçkë e rroga të majme.

E për ta mbyllur, po them se për shkak se kemi shumë, po shumë fare rrogëtarë të tillë, të kudo ndodhur e të prejkujtdo paguar, në Shqipëri kemi shumë opinione, e pak mendim.

Rrogëtarët e fitojnë shpërblesën a pagesën e tyre duke na mbytur me opinione ku ne ndahemi, zihemi e grihemi, e për të na vrarë mendimin që as mos të shohim dot e as mos të kuptojmë dot.

A mund ta ndalim dot këtë marrëzi?

Nuk e di…

Por sido që të jetë nuk duhet të mbyllim gojën.

E vërteta duhet thënë sepse ndoshta është i vetmi shpëtim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *