Veç përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, paketa e re fiskale sjell dhe një tjetër ndryshim të rëndësishëm, që lidhet me taksimin e pronës.

Sipas variantit paraprak të paketës, taksa e pronës nuk do të jetë më fikse mbi sipërfaqen siç është aktualisht, por do të bazohet mbi vlerën e pronës sipas çmimeve referencë që përcakton qeveria.

Projektligji i ri për tatimin mbi pronën mendohet të jetë gati për miratim në Kuvend me paketën e re fiskale dhe menjëherë Këshilli i Ministrave do të miratojë metodologjinë e vlerësimit mbi të cilën do të vilet tatimi mbi pronën, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave. Ministria e Financave ka tashmë gati të dhënat për pronat, pasi adresari i ri që do të konfiguronte gjendjen më të fundit mbi pronat ka përfunduar.

Për të mundësuar zbatimin praktik të tatimit të ri mbi pronën, është caktuar një grup pune i nivelit të lartë që përfshin të gjitha palët e interesuara për të përgatitur një plan veprimi dhe metodologjinë për vlerësimin e tatimit të pronës. Në vijim të Grupit të Punës, u hartua Memorandumi i Mirëkuptimit (MM) ndërmjet MF dhe OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) për ndarjen e bazës së të dhënave kombëtare të pronave të Operatorit. Përveç kësaj, Ministria e Financave hartoi katër memorandume me bashkitë e Tiranës, Durrësit, Korçës dhe Fierit për të mundësuar integrimin e faturave të tatimit të pronës me faturat e energjisë elektrike dhe të ujit dhe për të mbledhur tatimin në bazë të zonës, vendndodhjes së pronës.
Por pavarësisht ndryshimit të formulës, barra e taksës për shtëpitë e para pritet të mos rritet, por të mbetet në nivele të njëjta me taksën që paguhet aktualisht.

Por për shtëpitë e dyta dhe të treta taksa do të rritet. Sipas variantit që po diskutohet, familjet që kanë më shumë se një apartament do të detyrohen të deklarojnë shtëpinë e parë.

Ajo do të taksohet me taksë të ulët, ndërsa apartamentet e dyta apo të treta dhe më tej do të kenë një taksë më të rënduar. Masa se sa do të jetë taksa për shtëpitë e tjera veç asaj të parës është ende duke u diskutuar, por e sigurtë është se ajo do të rritet.

Prej disa vitesh Ministria e Financave ka punuar për ndërtimin e kadastrës fiskale, e cila do të regjistrojë të gjithë inventarin e pronave të patundshme sipas vlerës së tyre.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here