Kryeministri Edi Rama lançoi dje gjatë një deklarate për mediat dhënien fund të burokracisë në administratën shtetërore për disa shërbime. Rama tha se qytetarët nuk do marrim më vetë certifikatat dhe pensionistët kartat e shëndetit, por do t’i sigurojë vetë institucioni i interesuar.
Ndër të tjera Kryeministri Rama u shpreh se për dhënien fund të burokracisë, pastrimi vazhdon. Bien 24 dokumenta, dhe kjo do të thotë se nuk do merret qytetari me to, por vetë institucionet.

“Sot ne jemi në një situatë të ndryshme nga ajo ku ishim vetëm pak ditë më parë kur qeveria e re filloi punën, pasi ka një numër të konsiderueshëm veprash që përkthehen në rrugëtim, pritje, në shpenzime që nuk duhet t’u kërkohen më qytetarëve nga shteti në pikat e shërbimeve, duke filluar nga certifikatat personale e familjare, përsëris thirrjen qytetarëve refuzoni çdo kërkesë për certifikatë me vete dhe të kërkojnë aty në sportel që cilido që iu kërkon një gjë të tillë ta bëjnë gati”.
“Certifikatat familjare që janë në sistem dhe nga sistemi në zyrat e shërbimit të shtetit do t’i nxjerrin pa asnjë qindarkë në kohë reale pa asnjë shpenzim, nuk ka asnjë arsye për të bërë një metër rrugë për pensionistët për kartat e shëndetit. Ne do heqim edhe dokumente të tjera nga përdorimi të panevojshme. Këtë vërtetim nëse shteti e kërkon për një shërbim, e ka vetë shteti, gjendet në regjistrat e shtetit shqiptar. Vetë shteti, nëse e do këtë nga qytetari, le ta marrë vetë, s’ka pse t’i thotë qytetarit: ik atje, paguaj lekë, prandaj qytetarët duhet të jenë aktivë për ta aplikuar këtë një orë e më pas. Vërtetime pensione duhet t’i marrë vetë zyra që e kërkon, janë vetë në sistem. Nuk do ketë më certifikata që do t’u kërkohen qytetarëve për regjistrime në shkolla dhe kopshte”, tha Rama.
Ndërkohë, ministri i Financave dhe Ekonomisë ka urdhëruar të gjitha institucionet e varësisë që të mos kërkojnë më dokumentet e mëposhtme:
Çertifikatën e regjistrimit
Ekstraktin historik të kompanisë
Vërtetimin për regjistrin e investitorit
Vërtetim për individë të paregjistruar
Vërtetim statusi
Vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit
Dëshmi penaliteti
Dhe të gjitha llojet e dokumenteve që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile.
Për të gjitha këto është shteti, administrata që duhet të marrë masa t’i garantojë përmes sistemit “e-Albania”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here