Antiinformaliteti, skema e evazionit të 82 mijë bizneseve të vogla

0
23

 

 

Administrata tatimore qendrore ka seleksionuar dhe analizuar rreth 82 mijë biznese të vogla dhe mesme me analizën e riskut. Rezultatet e analizës, publikuar në raportin vjetor kanë gjetur sektorët me rrezik te lartë në zbatimin e legjislacionit fiskal dhe në pagesën e TVSH dhe Tatimit mbi Fitimin.
Profesionet e lira, hotelet dhe restorantet, segmentet e tregtisë me pakicë dhe shumicë, agrikultura dhe ndërtimet janë evazorët më të mëdhenj në segmentin e vogël dhe të mesëm të biznesit.
Në profesionet e lira që përfshihen dentistët, kontabilistët, avokatët, noterët, etj risku në mospagesën e TVSH-së vlerësohet 53.8 për qind, ndërsa risku në tatimin mbi fitimin 35 për qind.
Me risk të lartë gjithashtu janë vlerësuar bizneset e vogla dhe të mesme te tregtisë me shumicë, ku evazioni në pagesën e TVSH llogaritet 61% ndërsa në pagesën e tatimit mbi fitimin 35.9 për qind.
Hotelet dhe restorantet duket se e kanë evazionin me të lartë ne tatimin mbi fitimin me 57 për qind, ndërsa në TVSH 28%. Një raport më i hershëm i Ministrisë së Ekonomisë tregon se, 90 për qind i hoteleve në Shqipëri nuk janë të regjistruara në organet tatimore. Një nisme për krijimin e regjistrit të hoteleve sipas vendodhjes dhe kapaciteteve akomoduese duket se ka ngelur në gjysmë të punës për shkak të reformës institucionale, ku funksionet e turizmit, nga Ministria e Ekonomisë kanë kaluar në atë të Turizmit dhe Mjedisit.
Agrikultura, gjithashtu është sektor që dominohet nga informaliteti. Largësia e fermave nga zonat e urbane e bëjnë edhe më të lehtë evazionin e bizneseve në këtë fushë. Tatimet vlerësojnë se bizneset e regjistruara të agrikulturës janë rrezik për evazion me 55.9 për qind në TVSH dhe 42.5% në Tatimin mbi Fitimin.
Tatimet tashmë janë përfshirë në aksion antiinformalitet me bazë të gjerë, që do të përfshije edhe biznesin e vogël. Në këtë segment do të jenë në fokus lëshimi i kuponave dhe përdorimi i kasës.
Nisur nga precedenti i vitit 2015 ku tatimet ushtruan një aksion të dhunshëm me gjoba dhe denoncime penale, bizneset e vogla ketë herë po nxiten të vetëdeklarojnë. Tatimet po planifikojnë që të marrin për bazë deklarimin e xhirove të këtij muaji për pagesën e detyrimeve në vijim. Për pasojë shumë biznese të vogla prej përdorimit korrekt të kasës dhe kuponit pritet të ndryshojnë përgjegjësinë tatimore duke kaluar në tatimpagues të TVSH-së.
Kryeministri Rama ndërkohë deklaroi dje se të gjithë bizneset do të paguajnë TVSH.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here