Në nisje të aksionit kundër informalitetit në vend, Dhoma Amerikane e Tregtisë AmCham zhvilloi dje një tryezë diskutimi me Drejtoren e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa me të cilën ndanë shqetësimet e tyre për situatën në vend.

Kryetare e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve anëtare e bordit të Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi tha se “kontrolli në luftën kundër informalitetit duhet të jetë konstant dhe jo me aksione që në një farë mënyre bëhen të dhunshme”.

Tjetër shqetësim i ngritur në emër të biznesit anëtar të AmCham-it, nga Uruçi ishte edhe trajnimi i inspektorëve tatimor.

“Nevojiten inspektorë të trajnuar profesionalisht, me ide të qarta se ku bëhet informalitet dhe për treguesit që duhen kontrolluar. Duhen zgjedhur inspektorët që duhet të kontrollojnë pranë një biznesi të caktuar, meqënëse natyra e biznesit është e ndryshme. Mund të jenë të gjithë biznese të mëdha, por duhen kontrolluar në mënyra të ndryshme e standarde të ndryshme, pasi informaliteti mund të jetë në aspekte të ndryshme”, deklaroi Uruçi.

Fatkeqësisht, shtoi ajo, ka inspektorë që rrijnë 2-3 muaj, kontrollojnë çdo gjë vijnë vërdallë nëpër dokumenta, kapin mospërputhje sipas atyre, pastaj kthehen duke deklaruar se ishin në rregull.

“Harxhohet koha nga inspektorët dhe tatimpaguesi. Ndaj kontrolli duhet të jetë më i fokusuar, më i shkurtër në kohë dhe më cilësor”, u shpreh ajo.

Shqetësimi i dytë i ngritur nga binzesi ishte kontrolli nga zyra. Sipas Uruçit, për kontrollet nga zyra duhet të përcaktohet një praktikë e veçantë.

“Kontrollet nga zyra që përfundojnë me një akt rivlerësimi t’i bëhen paraprakisht të njohura tatimpaguesit, në mënyrë që çfarëdolloj paqartësie, keqkuptimi apo mungese të sqarohet në nivelin e drejtorive rajonale dhe të mos ketë nevojë që tatimpaguesi të marrë një njoftim vlerësimi dhe të shkojë në drejtorinë e Apelimit Tatimor”, shtoi Uruçi.

Kjo sipas saj, shkurton procedurat burokratike, qoftë në drejtorinë e Apelimit, apo vonë në Apelimin Tatimor. “Ashtu siç kemi procedurë për paraqitjen e observacionit të kontrollit në vend, ashtu duhet të kemi procedurë për paraqitjen e observacioneve për kontrollet nga zyra”, tha Uruçi.

Po ashtu, ajo kërkoi qartësimin e e-maileve nga shërbimi tatimor në drejtim të tatimpaguesve, pasi ka kërkesa të shumta që konfuzojnë biznesin dhe të pabazuara në ligj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here