30 mijë apartamente pa tapi – Ndërtuesit: Ngërçi te ALUIZNI, nuk legalizon pallatet

0
86

 

Ka mbetur ende pa zgjidhje problemi i rreth 30 mijë apartamenteve të blera prej vitesh nga qytetarët, por të mbetura të pahipotekuara. Pallatet e përfunduara prej vitesh nuk mund të pajisen me certifikata pronësie pasi janë evidentuar shkelje të lejeve të ndërtimit, ndërkohë që një pjesë e mirë e kompanive nuk ekzistojnë më.
Shoqata e Ndërtuesve thotë se aktualisht është ALUIZN-i ai që duhet të bëjë legalizimin e tyre, por deri tani, ky institucion nuk ka hedhur asnjë hap në këtë drejtim.
“Ndërtuesi që ka bërë gjithë atë ndërtim, nëqoftëse do i duhet për shtesa, të paguajë një gjobë në shtet e cila fillon nga disa milionë lekë të vjetra, deri në 20-30 milionë lekë të vjetra, jo më tepër, gjë që nuk është ndonjë shifër që firmat e ndërtimit nuk e përballojnë. Firmat e ndërtimit janë të lodhura me kërkesat e administratës, në mënyrë të veçantë kërkesat e ALUIZNI-t, që fillojnë që nga plotësimi i dokumentacioneve të dosjes, kur dosjen nuk e ka çuar ndërtuesi. Dosjen e ka çuar Bashkia dhe dosja kur e ka çuar Bashkia ka qenë e plotë fare”,shprehet Maksim Muçi, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve për scan.
Në fillim të këtij viti, Qeveria ndërmori disa ndryshime në ligjin për legalizimet, të cilat i japin të drejtë banorëve të apartamenteve të aplikojnë vetë pranë ALUIZNI-t për të hipotekuar apartamentet. Por as kjo masë nuk ka dhënë ende rezultate. Madje, sipas Muçit, është bërë një hap prapa lidhur me hipotekimin e rreth 400 pallateve në Tiranë. Kjo pasi dosjet e këtyre pallateve kanë qenë përfunduar prej kohësh nga Bashkia e Kryeqytetit, ndërkohë që tani janë kthyer për rishqyrtim të ALUIZNI-t.

“Burokraci administrative, të cilat i vonojnë këto procedura. Ti ke pallate të ndërtuara të cilat janë pajisur me leje për shtesat nga Bashkia e Tiranës qysh nga viti 2007-2008-2009 dhe akoma nuk kanë kaluar. Këto pallate janë pallate të cilat konsiderohen me leje. Problemi është i thjeshtë: paguaj gjobën për shtesën dhe bëj regjistrimin, kaq”, thotë Muçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here