Artan Lame

Djem e vajza, Pas disa ditësh ALUIZNI do të organizojë një konkurs për vende të lira pune në të gjitha drejtoritë Rajonale, prej Shkodrës e deri në Sarandë.

Lajmërimin zyrtar ka ditë që është publikuar dhe besoj që e keni parë.

Ç’ka më ka bërë përshtypje janë pirgjet me dosje aplikimi dhe numri i madh i CV-ve të mbërritura.

Ju lutem të gjithëve, merreni seriozisht dhe mos e konsideroni si nga ato konkurset e llojit “më ka çu nona me la gojën”. “Nona” kësaj radhe do vërtet të punësojë njerëz që do t’i bëjnë hyzmetin punës.

Edhe po s’ja dolët kësaj radhe, mos u mërzisni, jeta ka edhe rrëzime e, veç kësaj, pas disa muajsh do të organizohet një tjetër konkurrim masiv, në të cilin përpjekja juaj e tanishme do të vlejë.

Aman, në keni perëndi, mjaft me miq, ndërhyrje, e më the të thashë, se të vetmin efekt që kanë, është ta shoh me inat mikxhiun.

Deputetë e ministra, partiakë e funksionarë, kanë gjithë të drejtën e tyre të interesohen për njerëz, ndaj të cilëve kanë detyrime partie, elektorati, e më the të thashë. Por, ndërhyrja merr fund tek kandidimi i të mbështeturit prej tyre. Pas atij momenti, e ka fjalën komisioni.

Çuna, goca që do kandidoni, besojeni këtë përpjekje që po bëni, duke u përpjekur të provoni muskujt tuaj dhe jo muskujt e mikut.

Unë vetë ja kam dalë vetë në jetë, se hera e fundit që kam futur mik babin, ka qenë në vitin 1988, që të më regjistronte në një ekspeditë verore arkeologjie në Luaras të Kolonjës.

Suksese të gjithëve në provën tuaj, Artan Lame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here