Për banorët e pallateve që nuk kanë arritur të përzgjedhin administratorët, kryetari i bashkisë së Tiranës,  Erion Veliaj thotë se do të jetë bashkia ajo që do të asistojë për zgjedhjen e tyre dhe organizimin e asamblesë së banorëve.

Veliaj i ka dërguar një letër të personalizuar familjeve në kryeqytet, ku u bën thirrje të zgjedhin administratorët e rinj.

“Ritmet e shpejta dhe dinamika e jetesës bëjnë që të fokusohemi gjithmonë e më shumë tek familja jonë dhe apartamenti ynë, duke u kushtuar më pak kohë problemeve jashtë derës së shtëpisë. Sot, qytetarët e Tiranës bashkëjetojnë me këto probleme, ndoshta edhe konfliktohen mes tyre, edhe pse zgjidhjet shpeshherë janë fare të thjeshta.Për këtë, Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për bashkëpronësinë dhe ‘administratorët e pallateve’, i cili synon krijimin e një rrjeti punonjësish të përzgjedhur nga Ju dhe të certifikuar nga Bashkia e Tiranës, të cilët do të gjenden pranë komunitetit për t’i dhënë zgjidhje problematikave që lindin prej bashkëpronësisë”, thotë Veliaj përmes letrës.

Ky projekt parashikon sinjalizimin e problematikave të ndryshme dhe angazhimin për zgjidhjen përfundimtare të tyre në 5000 pallate, që gjenden në 14 njësi administrative brenda Bashkisë se Re të Tiranës, duke përfshirë edhe Kasharin, Dajtin dhe Farkën.

Tirana është i pari qytet në Shqipëri, që ka ndërrmarrë një ndër nismat e pronësisë të përbashkët me qëllim administrimi më të mirë dhe zgjidhje të problemeve.

Procesi do të përmbyllet pasi në Tiranë të jenë të licencuar 500 administratorë në 14 njësi administrative. Sipas Veliajt  kjo iniciativë siguron standardet e ruajtjes së higjienës, shëndetit publik dhe mbrojtjes kundër zjarrit, duke rritur kështu sigurinë e banorëve dhe duke vendosur standardet e munguara deri më sot.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here