Vullnet Mato * – E DREJTA E PRIVATËSISË DHE EKRANI

0
41

Vullnet Mato *

 Tek ne po ndodh një fenomen pothuajse i jashtëligjshëm, i cili tashmë ka marrë përmasa dhe është bërë si dukuri krejt e zakonshme. Në ekranet tona, moderatorët që drejtojnë emisionet televizive, e kanë bërë metodë pune, të thërrasin në studiot e tyre, eksponentë të krimit, çifte të ndarë, ose qytetarë që kanë pësuar fatkeqësi në jetën e tyre. Synohet të thirren, sidomos femrat e përdhunuara, dhe për ta bërë sa më interesant emisionin, është përdorur me to metoda e sugjestionimit, duke i nxitur bërë pak nga pak të hapin krejt kasafortën e trurit. Madje thirret në studio edhe ndonjë jurist ose juriste, e kësisoj krijohet aty një gjykatë në miniature dhe pasi bëhet edhe lidhja onlie me të akuzuarit, ose dëshmitarët, personi fatkeq gozhdohet për minuta të tëra para kamerave. Ku gërmohet me pyetje të njëpasnjëshme, për ta imponuar të tregojnë gjithçka, deri në intimitetet më të imta. Për të cilat, pas daljes nga studioja, ato pendohen thellë, për zbulimin e të fshehtave të tyre, sidomos kur vihen para prindërve dhe opinionit zakonisht përçmues. Siç dihet, njeriu edhe në gjykatë, nuk është i detyruar të tregojë të gjitha intimitetet. Por fajësia e tij faktohet me dëshmitarët dhe provat e mbledhura kundër tij. Sepse në këtë mënyre si veprohet, me mjete moderne, dhe tepër të fuqishme, media shpall uljen e dinjitetit personal, duke bërë punën e dikurshme të tellallit, për poshtërimin e mëkatares ose mëkatarit, në hapësira shumë herë më të gjera dhe për një numër dëgjuesish mjaft të madh.

Në një kuptim figurativ, ky veprim është thjesht, pushkatim i personalitetit të njeriut. Përshembull, ajo vajzë e përdhunuar, nuk bëhet në opinion më e ndershme, por më e përdalë, nuk bëhet më e lakmuar nga kandidatët djem për t’u martuar, por më e papërfillur, nuk shton numrin e vajzave që krijojnë familje, por të atyre që mbeten beqare dhe marrin rrugën e prostitucionit. Pra, ajo bëhen fli, bëhen kurban i ekranit, nga ajo bërje publike e fatkeqësisë së saj. Kemi edhe shembuj tepër negativ, kur femra ka bërë të njohur publikisht padrejtësinë që i ka bërë dikushi dhe ai i prekur rëndë në sedër, ose i përbuzur nga rrethi i tij shoqëror, ka shkuar dhe e ka vrarë. Pra këtu shkaktari nxitës i krimit, bëhet ekrani. Krimineli kapet dhe dënohet, por ndërkohë, nxitësi ekran mbetet në hije. Pikërisht këtë hije duam të ndriçojmë me këtë shkrim.

Duke e kundruar këtë metodë pune, në këto lloj emisionesh, nga këndi i lirisë së njeriut, në një shoqëri të lirë demokratike, del, se dashur, padashur, bëhet një shkelje e rëndë e së drejtës absolute të privatësisë personale. Teksa në televizionet e shteteve të tjerë, me kulturë te konsoliduar gazetareske dhe njohuri të plota ligjore, synohet thjesht lajmi, duke e siguruar e saktësuar atë, me pak pyetje, për moshën, rrethanat dhe të dhënat e vendit të ngjarjes, me karakter informues dhe edukues, për shmangien e dukurive negative në publikun e gjerë.

Pra në këtë mënyrë, këto ekrane tek ne, marrin pozicionin e një pushteti ligjor, ku i intervistuari i pa informuar si duhet, detyrohet jo vetëm të paraqitet aty, por të zbulojë edhe të dhëna sekrete, që dekonspirojnë dhe dëmtojnë rëndë hetimin e ngjarjeve, nga organet ligjore kompetente, si policia e prokuroria. Kur dihet se pushtetet janë të ndara me kushtetutë dhe media ka pozicionin e saj informues, por jo hetues e gjykues.

E keqja më e madhe, jo vetëm në rrafshin e personave të dëmtuar, por për mbarë shoqërinë, është se ekrani po shtrin pushtetin e tij mbi ne qytetarët. Madje shohim edhe ndonjë moderator viziv, teksa merr poza, me tone komanduese e demaskuese. Shfaqje krejt absurde këto për rolin e tyre, që përbuzen nga mbarë shikuesit. Tani njerëzit pjesëmarrës në ngjarje, ose te ndodhur aty rastësisht, kanë marrë frikë më shumë nga kamera e drejtuar mbi ta, se sa nga automatiku i policit, që i detyron të paraqiten në organet e zbatimit te ligjit.

Femrat naive duhet të kenë logjiken e nevojshme, për të mos pranuar të ekspozohen para kamerave, që shkelin të drejtën e privatësisë së tyre. Sepse përveç ndjenjës së mëshirës, së panevojshme, që mund të ndjejë dikush që e dëgjon, shumica i përbuzin, që nga gjah për keqbërësin, bëhen edhe gjah i kamerave, të cilat e shpien fatkeqësinë e tyre në çdo skaj të vendit.

Si qytetar i këtij vendi, që aspiron të renditet përkrah shteteve me demokraci të zhvilluar, kam mendimin se kjo gjendje duhet frenuar me dispozita ligjore kushtetuese të specifikuara, që i ndalon rreptësisht kanalet vizive, të kryejnë hetime paralele, sidomos para se të merren organet përkatëse me detyrën e tyre. Duke u vënë atyre një kufi të përcaktuar saktë, deri ku duhet gjurmuar zbulimi i fakteve, që përbëjnë lajmin e nevojshëm për informimin publik. Këtë kufi ta dinë, jo vetëm ekranet, po edhe vet qytetarët, që bien viktima të zbrazjes së trurit para kamerave.

*shkrimtar

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here