Banka Europiane e Investimeve ka publikuar një raport me titull: Era e ndryshimit, investimet në Europën qendrore, lindore dhe juglindore. Në analizë merren 17 vende, mes të cilave edhe Shqipëria.

Raporti ka për synim të analizojë gjendjen e investimeve, para dhe pas krizës financiare globale të vitit 2008, e për rrjedhojë, të dhënat në këtë raport i referohen periudhës pas vitit 2008.

Një ndër indikatorët më të saktë që shpjegon situatën e investimeve, është ai që tregon sesa për qind e vlerës së re të shtuar në ekonomi, shkon për investime, dhe jo për konsum.

Praktikisht, i njëjti koncept me riinvestimin e fitimeve në një sipërmarrje të thjeshtë. Shqipëria rezulton të ketë normën më të lartë në rajon për këtë indikator, në 10%.

Çka do të thotë se, 10% e asaj që ekonomia shqiptare ka shtuar çdo vit që prej 2008-ës, ka shkuar për investime të tjera. Por, ky rekord pozitiv pasohet nga një tjetër negativ; diferenca me periudhën përpara krizës financiare të 2008.

Kjo diferencë thotë raporti, fiksohet në 8% më pak, dhe kjo është norma më e lartë mes vendeve të marra në analizë.

Sa i përket investimeve në tërësi në raport me PBB, niveli referencë është ai i 25% në periudha afat-gjatë, dhe Banka Europiane e Investimeve saktëson se, vetëm Shqipëria e ka tejkaluar këtë normë.

Ky grafik ndërkohë tregon sesa realisht i ka thelluar diferencat mes shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian kriza financiare globale në katër fusha kryesore; infrastrukturë strategjike, kapital njerëzor, infrastrukturë energjetike dhe kapacitet inovues.

Në raport thuhet gjithashtu se, Shqipëria është lider në Ballkanin perëndimor për densitetin e rrugëve interurbane. Për secilën prej vendeve të marra në analizë, Banka Europiane e Investimeve nënvizon edhe fushën ku këto vende duhet të fokusojnë investimet e tyre, për shkak të potencialit që ofrojnë. Për Shqipërinë theksi vihet te energjia e rinovueshme.

Më pas, këshillohen investime më të shtuara në porte dhe hekurudha e në fund, po jo më pak e rëndësishme, këshillohen investimet në fushën e edukimit, që janë thelbësore në rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e një vendi. Në këtë drejtim, duhet të rritet vëmendja e autoriteteve, thotë raporti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here