Nga Bujar M. HOXHA

 Në fillim të viteve ’90, një figurë e njohur klerike në një periferi të vendit do ta shprehte hapur zhgënjimin me rrjedhën që kishin marrë ngjarjet në rënie e sipër të regjimit diktatorial. Edhe pse kishte provuar mbi shpinë në vite presione e mungesa të gjithfarëllojshme, që nga pamundësia për ta shprehur hapur bindjen e tij fetare, edhe pse do të kontribuonte për rrëzimin e rendit shtypës të njeriut me të cilin ndante të njëjtin mbiemër duke kandiduar në zgjedhjet e para pluraliste për demokratët, ai shpejt do ta kuptonte se gjërat nuk ishin në rrugë të mbarë.

Ndarës i të njëjtin zhgënjim, dikush tjetër në të njëjtën periferi do të parashikonte largpamësisht se ky vend nuk mund të bëhej asgjë më shumë se një Sicili. Një parashikim që fatkeqësisht është provuar të ketë qenë i saktë.

Ngjarje si ajo e Elbasanit përsëriten periodikisht, duke nxjerrë në sipërfaqen e “shndritshme” llumin që përthith dalëngadalë jetët tona. Pamjet filmike të një incidenti ku forcat policore shpërfillen e goditen si pa të keq, aq sa dhe një roje objekti u bën karshillëk, tregojnë se kush sundon vërtet në këtë territor të quajtur Shqipëri.

Pluralizmi politik, demokracia, zgjedhjet, ndërrimi i pushtetmbajtësve, reformat, hyrja në BE, Vetting-u… Fjalë, gënjeshtra, përralla, vënëse në gjumë… E vërteta jonë është ngjarja e Elbasanit…

E vërteta jonë është mbyllja e pazëshme e procesit për një kryegjykatës që nuk ka patur aspak turp ta kërkojë ngopjen e epshit në çdo mish femëror që i del përpara. E vërteta jonë është lënia e sigurisë tonë në duar të dënuarish jashtë kufijve shtetërorë, që diku në Europë bëjnë hajdutin a trafikantin e këtu vihen për të mbrojtur ligjshmërinë!

A thua mijëra njerëz ikin apo duan të ikin pafundësisht nga ky vend veç për arsye ekonomike?

Rrugët e shtruara, shkollat e hapura, shiritat e prerë të përurimeve, rritja ekonomike, lufta politike në parlament a gjetkë, e majta, e djathta, qendra… Gjithçka e tillë është vetëm fasadë!

Kravatat, kostumet e shtrenjta, makinat luksoze, buzëqeshja, fjalimet… Vetëm mbështjella nën të cilën fshihet tjetër lëkurë!

Kësi ngjarjesh janë veç maja e ajsbergut, që shpërfaqin të vërtetën: atë se kujt i përket pushteti real në këtë vend. Se si pas biznesesh të “ndershme” gjenden duar keqbërësish, se si pas tenderash qëndrojnë vjedhës me detyra shtetërore, se si pas tokave e apartamenteve të dhuruara nga halla, tezja apo vjehrra fshihen “vigjiluesit e devotshëm të rendit ligjor”. Të kthyer në mashë të bandave, apo në vetë bandën!

Ngjarja e Elbasanit nuk ka zanafillë të vonë; është qelbëzim i një plage të kahershme. Nuk ka ngjyrë; ajo është treguesi më i mirë i kriminalizimit të një mënyre të tërë të të jetuarit. Heshtja përballë saj tregon frikë, pajtim, bashkëfajësi…

Nuk ka rënë shteti, siç pëlqen të gënjejë vetëdijshëm një zë publik, por ka rënë fasada shumëdekadëshe e tij. Pasi shteti nuk ka mundur të ngrihet, por dhe kur është përpjekur të funksionojë, ashtu këmbëzvarrë, dora e tij është lëshuar vetëm mbi të pambrojturin.

Mitet nuk e mbajnë në këmbë këtë farë shteti, nuk e mban as “Viti i Skënderbeut”. Ato shërbejnë vetëm për ta mbajtur hundën përpjetë, por jo për ta fshehur të dhimbshmen gjë: në thuajse tridhjetë vite nuk është ngritur më shumë se një Sicili!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here