Nga Dr. Bled KOMINI

Prej kohësh sistemi arsimor është vënë në qendër të vëmendjes dhe kjo jo për shkak të ndonjë situate të tensionuar, por për vet faktin se prej këtij sistemi pritet shumë. Prej tij presin prindërit që investojnë për fëmijët e tyre; pret brezi i ri; pret biznesi dhe industria, administrata publike dhe ajo private, si dhe politika gjithashtu. Për sa kohë flasim për edukimin, flasim njëkohësisht për drejtimin e vendit tonë, për politikanët e ardhshëm, për studiuesit, specialistët, diplomatët, profesionistët, menaxherët si dhe punonjësit e thjeshtë. Thënë me pak fjalë, pritshmëritë janë të mëdha, në një vend ku arsimi është mënyra e vetme për të treguar vlerat e një shoqërie.
Arsimi cilësor u ofron fëmijëve e të rinjve mundësinë të shfaqin potencialin e plotë duke u dhënë njohuri, aftësi, dhe vlera që atyre do t’u shërbejnë për të bërë një jetë më të mirë. Sipas të dhënave e statistikave të nxjerra prej studiuesve, një vit më tepër shkollimi rrit të ardhurat me 10 përqind Nga ana tjetër, një vit më tepër shkollim nga një vajzë ul fertilitetin me 10 përqind. Edukimi ndihmon marrjen e vendimeve që plotësojnë nevojat e të tashmes pa prekur ato të brezave të ardhshëm. Edukimi cilësor është themelor për ndryshimin e vlerave, sjelljeve dhe qëndrimeve që sjellin zhvillim të qëndrueshëm.
Arsimi i lartë mund të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike përmes rrugëve të ndryshme. Përfitimet që arrihen privatisht prej arsimit përfshijë perspektivat për punë më të mirë, paga më të larta, dhe një aftësi më të madhe për të kursyer dhe investuar. Këto përfitime mund të rezultojnë në shëndet më të mirë dhe përmirësim të cilësisë së jetës. Nga ana tjetër, pritshmëritë e larta ndikojnë në një jetesë më të mirë, gjë e cila i mundëson individëve që të punojnë me produktivet më të lartë për një kohë më të gjatë duke rritur më tej të ardhurat e jetës. Veç përfitimeve individuale, apo private, ekzistojnë dhe përfitimet publike për nga mënyra se si mund të ndikojë arsimi në rritjen e ekonomisë. Pavarësisht se këto përfitime janë input i individit në shoqëri, sërish ato mbeten themelore. Kështu, pasja e një shoqërie të “shëndetshme” e të kulturuar ndikon në zbatimin më efikas të politikave të ndryshme qeveritare. Një shoqëri e edukuar dhe e arsimuar i sjell vendit një prosperitet intelektual dhe produktiv. Të ardhurat më të larta për individë të mirë-arsimuar rrisin të ardhurat nga taksat për qeveritë dhe lehtësojnë alokimin në financat e shtetit. Ajo gjithashtu përkthehet në konsum më të madh, ku si pasojë përfitojnë dhe prodhuesit.
Premisa se një sistem arsimor në parametra të mirë i shërben të ardhmes së një vendi, na shtron përpara dilemat e vjetra etë tilla si: A është ky sistem në parametra funksional apo letargjik?! A ka disa standarde bazë ku ai të orientohet apo ai vetorientohet dhe vetpërcakton të ardhmen e tij? E së fundi, nëse ai do jetë kompetitiv apo vet-konsumues? Të gjitha këto janë të barasvlefshme me pyetjen: Ku po shkon sistemi i arsimit në Shqipëri dhe cilat janë sfidat e tij?
Arsimi nuk ka të bëjë vetëm me të mësuarit dhe marrjen e njohurive, por është shumë më tepër se kaq. Diferenca mes të parës e të dytës qendron në faktin se të mësuarit e fenomeneve të reja për të cilat nuk dimë shumë dhe që kanë për qëllim zgjerimin e dijes sonë, ndikojnë në zhvillimin individual e më pas atë social të një shoqërie. Një person i arsimuar di të dallojë të drejtën nga e gabuara e të keqen nga e mira. Përmes arsimit nuk ndryshojmë vetëm të ardhmen, por ne e projektojmë atë. Kjo duhet mbajtur gjithnjë parasysh kur flasim për “brezin e ri”, gjeneratat e reja, ose për të ardhmen tonë. Aftësia e projektimit të së ardhmes përmes kulturës e dijeve që u japim brezave të rinj në shkollë, qoftë dhe përmes mjeteve të tjera si media, ka përparësinë që të ndikojë në një përqindje të caktuar në të ardhmen e një shteti apo dhe më gjerë. Pra arsimi ka fuqinë që ta bëjë botën një vend më të mirë, ose të jetë një projeksion i keq, i njohurive të përdorura po keq. Ajo që është e matshme prej studiuesve është fakti se sado që vlera e arsimit cilësohet të jetë e madhe dhe e rëndësishme, nuk është se përparësitë dhe rezultatet pozitive të tij i kemi plotësisht të qarta. Çdo vit shkolle rrit të ardhurat për person me 10 % dhe rrit mesataren vjetore të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) prej 0.37%
Duke e përjashtuar arsimin parauniversitar nga pjesa tjetër e shkrimit, them se ajo çka mbetet që i përket arsimit universitar dhe pasuniversitar nuk është në gjendje aq mjerane sa ç’ishte një dekadë, apo disa vite më parë. Kjo jo për meritë të ndokujt, as të rritjes së buxhetit për arsimin, por për shkak se tregu ka ndikuar në përmirësimin e disa aspekteve të cilat më parë nëvlerësoheshin dhe pothuajse nuk trajtoheshin seriozisht. Po ashtu “reforma arsimore” e ndërmarrë në 2014 vendosi një standard pothuajse tëri, i cili në vetvete nuk kishte të bënte me cilësinë, më tepër sesa me gurëthemelin nga ja duhet nisur, e poshtë së cilit nuk duhet shkelur.
Që sistemi i Arsimit të Lartë në vend ende lë për të dëshiruar, kjo është diçka që nuk kërkon mikroskop. Kjo mund të shihet edhe në uljen që pësoi buxheti për arsimin nga viti 2015 në atë 2016-2017, ku diferenca është me minus 9.7% më pak se 2015. E në fakt viti 2015 shënoi dhe buxhetin më të lartë për arsimin gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama, ku zëri i këtij buxheti shkonte në 40,3 milion lekë, nga 36 milion në vitin 2016 dhe 2017. Kështu, referuar treguesve të buxhetit të shtetit, për këto vite, fondet për arsimin kanë pasur një peshë prej pothuajse 3-3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. E vënë në kandar, kjo peshë financiare përballë nevojave të arsimit është shumë më e vogël se ajo e vendeve fqinje të cilat e kalojnë atë të 4% të PBB. Për më tepër, për vet specifikat e arsimit në Shqipëri, 92% e buxhetit shkon për shpenzime korrente, e vetëm 8% për shpenzime të tjera. Kjo tregon nevojën emergjente të rritjes së buxhetit për arsimin në 2018 në të paktën 4-4.5% të PBB, gjë e cila do ndikojë që të rriten shpenzimet e tjera në krahasim me ato korrente.
Deri në vitin 2009 Shqipëria shpenzonte më pak për arsimin, si përqindje e PBB-së, se vendet e tjera në rajon (3,5% të PBB-së në vitin 2009), në krahasim me 4,6% që ishte mesatarja në Evropën Lindore. Të njëjtat shifra vijojnë të mbeten kostante edhe sot e kësaj dite. Krahasuar me vende të tjera Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Kështu Qiproja është shteti që ka investuar më shumë në dhjetëvjeçarin e fundit nga Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto në arsim, mesatarisht 5.5-6%. Pas saj vjen Sllovenia me 5-5.5% dhe Hungaria me 4.5-5.5%. Këto tre vende, në vitet e fundit janë edhe mbi mesataren e BE-së prej 5.1% të PBB për arsimin. Në krahun tjetër Italia, shteti përtej Adriatikut, asnjëherë nuk e ka ulur nën 4.2% të PBB buxhetin për arsimin (gjatë këtyre viteve). Ndërsa Greqi vitet e fundit është përpjekur ta mbaj atë mbi 4% të PBB pavarësisht krizës ekonomike.
Për ta bërë sa më të prekshëm investimin në arsim, si dhe për të kuptuar buxhetin që shtetet fqinje dedikojnë për të, mjafton të përmendim se shpenzimet për frymë në fushën e edukimit në Serbi në vitin 2014-2016 kanë qenë jo më të ulta se 300-350 dollar për frymë, ndërkohë që në Shqipëri ato kanë qenë 156-160 dollarë për frymë në po tënjëjtën periudhë. Nga ana tjetër Greqia me lëkundje financiare, nga viti 2005 e gjer më sot, nuk i ka ulur asnjëherë më poshtë se 750 dollarë për frymë shpenzimet në fushën e edukimit.
Nga e tërë ajo çfarë u thanë më sipër, si dhe të dhënat e marra nga institucionet zyrtare, lind si domosdoshmëri që buxheti për arsimin në vitin e ardhshëm (2018) të jetë jo më i vogël se 4.5-5% të PBB, e ky standard i ri duhet të qendrojë si gur kilometrik për të gjitha qeveritë që do vijnë mëpas. Kjo duhet të shkojë përshtat dhe me direktivat dhe indiciet e BE-së që buxheti për arsimin në vendet anëtare si dhe ato aspirante të fokusohet diku aty tek5-5.1% e PBB.
E megjithatë sfida e vërtet nuk qëndron vetëm tek rritja e buxhetit të shtetit për arsimin, por tek një faktor tjetër edhe më përcaktues se ai financiar për të ardhmen dhe që ka të bëjë me lindshmëritë. Numri i lindjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2016 ka qenë më i ulëti i regjistruar ndonjëherë, që nga vitet 1930, kur shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil dhe filloi të mbajë shënim mbi lindjet, vdekjet e martesat, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. Përgjatë vitit 2016, numri i lindjeve qe 31,733, afro 1 mijë lindje më pak nga viti 2015 dhe 4 mijë lindje më pak se sa në vitin 2014. Kjo tregon se pas gjatë vitesh në klasën e parë do të ulen shumë herë më pak fëmijë sesa është numri i atyre që ulen sot. Kjo gjithashtu do të thotë se arsimi parashkollor dhe ai fillor do të pësojë një rënie në trendin e edukimit. Si rrjedhojë, rënia e trendit do sjellë dhe një rënie të përgjithshme të interesit për të investuar në këtë drejtim. Kjo gjë, pas pothuajse 17-18 vitesh do bëjë që të bjerë edhe numri i maturantëve që mbarojnë gjimnazin, e njëkohësisht nga kjo valë do preket edhe arsimi i lartë. Që do të thotë më pak maturantë, e më pak studentë në universitete. Pasja e një numri të ulët maturantësh, do sjellë paralelisht edhe një sfidë tjetër më të vështirë për universitetet private dhe ato publike. Me shumë gjasa, të parat që do preken prej këtij ndryshimi do jenë ato private, të cilat aplikojnë dhe tarifa më të larta.
Prej vitit 1999 e deri në vitin 2006 lindshmëritë kanë qenë ndërmjet 33-35 mijë fëmijë në vit. Nisur nga kjo, na përcaktohet me përafërsi edhe numri i maturantëve të viteve 2017-2018. Pra, ekzaktësisht matura shtetërore sot nuk është më e madhe se shifrat e përmendura tek lindshmëria më sipër mes viteve 1999-2006. Këtij numri po t’i shtohet edhe ai i atyre që regjitrohen një vit me vonesë si dhe ata që nuk arrijnë ta përfundojnë shkollën e mesme në kohë, përafërsisht nuk do të ishte më i madh se 40 mijë. E duke qenë se trendi i lindshmërisë sa vjen dhe ulet, edhe trendi i maturës do ndjej luhatje të konsiderueshme në dekadën e dytë të shek. XXI. Prandaj sfida në këtë rast na përcakton dhe objektivin për të ardhmen: një sistem solid në dekadën e ardhshme, me një buxhet jo më të vogël se 4.-5% të PBB si dhe reforma të vazhdueshme në arsimin parauniversitar dhe atë universitar; shkolla me mësues të aftë e të testuar për njohuritë e tyre; zhvillim i arsimit të mesëm profesional, për t’i dhënë mundësi akomodimi e profesioni (zanati) edhe atyre që nuk duan të ndjekin sistemin universitar; si dhe bashkime të universiteteve private ose atyre publikë për të qenë më konkurrentë në një treg që sa vjen e bëhet më i vogël për shumë aktorë. Zvogëlimit të tregut, Ministria e Arsimit dhe Sportit mund t’i përgjigjet nga ana tjetër me një politikë më fleksibile për pranimin e studentëve të huaj, si dhe atyre nga trojet shqiptare. Por kësaj politike i nevojitet një sistem arsimor i konsoliduarbrenda vendit e konkurrues në rajon. Gjë e cila për momentin me pak gjasa mund të ndodhë.
Debati s’duhet të jetë univerisitet publik ose privat. Por debati duhet orientuar mes arsimit të lartë në Shqipëri dhe atij në Ballkan. Konkurrenca nuk duhet stimuluar brenda vetes, por me universitetet e rajonit të cilët për të thënë të vërtetën janë pothuajse një dekadë para nesh. E këtu nuk po flas për Maqedoninë a Kosovën e Malin e Zi, por për Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Greqinë e Slloveninë.
Në një ekonomi të dijes, arsimi i lartë mund të ndihmojë ekonomitë për t’u zhvilluar dhe për të arritur shoqëritë teknologjikisht të përparuara. Të diplomuarit e arsimit të lartë ka të ngjarë të jenë më të vetëdijshëm dhe në gjendje më të mirë për të përdorur teknologjitë e reja. Ata kanë gjithashtu më shumë gjasa për të zhvilluar mjetet dhe aftësitë e reja vetë. Njohuritë e tyre mund të përmirësojnë jetesën, ndërsa besimi më i madh dhe know-how zhvillohet nga shkollimi i lartë, i cili mund të gjenerojë sipërmarrjen, dhe efekte pozitive në krijimin e vendeve të punës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here