Deputetja e Partisë Demokratike e zgjedhur në Shkodër Izmira Ulqinaku që u cilësua si zëvendësuesja e Jozefina Topallit, ka folur në seancën e sotme plenare duke e nisur fjalën me zgjedhjen e Gramoz Ruçit në Krye të Kuvendit dhe duke i kujtuar ngjarjet e vitit 1991 në qytetin e saj ku u vranë 4 të rinj.

“Etika ma do që fjalën ta nis ashtu siç do ishte normale, duke përshëndetur edhe kryetarin e Kuvendit. Por historia e familjes sime nuk ma lejon. Jam mbesa e një prej dëshmorëve të 2 prillit. Nuk e kisha menduar se do flisja në Kuvend pas 27 viteve dhe kryetar i tij të ishte Grmoz Ruçi, protagonist i ngjarjes. Vendosja e ish-ministrit të Brendshëm të diktaturës komuniste përbën një nga njollat më të zeza në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, – tha Ulqinaku. – Kur në kabinetin qeveritar përfshitë dy shkodranët Mesi e Bushati i kam mirëpritur me shpresën se edhe pse i përkasin krahut tjetër politik, mund të kenë një qasje më të mirë me Shkodrën ndryshe nga ajo që kanë ndodhur katër vitet e fundit në qeverisjen tuaj. Por, vendosja e zotit Ruçi në krye të Kuvendit jo vetëm është një karshillëk ndaj të gjithë të persekutuarve dhe atyre që vuajtën diktaturën komuniste, por mbi të gjitha është një përdhosje e qytetarisë shkodrane e cila u persekutua nga ai regjim”.

Por pasi ajo ka mbaruar fjalën, kreu i Kuvendit në një replikë i kujtoi se ajo në vitin 1991 ka qenë vetëm disa muajshe dhe nuk i ka vënë faj për ‘paditurinë’

“Dëgjova që lakove emrin tim në raport me Shkodrën, fole për një kohë që nuk është faj jot që ishte disa muajshe në ’91. Fole për një kohë që nuk është faji jot në 92 që ishe 1 vjeçe. Nuk është faji jot që nuk mund ta ndiqje çdo gjë që është live në lidhje me Ruçin dhe 91. Mundohu të njohësh mirë historinë e fakteve dhe ngjarjeve. Unë jam krenar që shkodranët më mirëpresin me duar në xhepa dhe më votojnë”, tha Ruçi.

Gramoz Ruçi ka qenë një ish-funksionar i viteve të fundit të regjimit, Ministër i Brendshëm në momentin e ngjarjeve të 2 prillit ’91 në Shkodër, ku u zhvillua një protestë masive, që çoi në ekzekutimin e 4 personave të pafajshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here