Pas afro 9 muaj nga dalja e draft ligjit si dhe pas diskutimeve nga palët e interesuara apo kundërshtimeve nga ana e opozitës, parlamenti shqiptar miratoi Ligjin Nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme doganore, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore” (Ligji i faljes). Ky Ligj hyri në fuqi më 06 Maj 2017.Detyrimet që fshihen pa kusht pageseLigji i faljes do të bëjë të mundur fshirjen e detyrimeve duke lehtësuar bilancin e administratës tatimore dhe asaj doganore nga ajo pjesë që praktikisht është e pambledhshme si dhe do të ndihmojë tatimpaguesit duke i lehtësuar nga detyrime që i shikonin të vështira për t’i paguar.Konkretisht, Ligi i faljes parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara (detyrim kryesor/principal , gjobë, kamatëvonesë) të cilat u përkasin periudhave tatimore deri në 31 Dhjetor 2010 dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit. Këtu përfshihen edhe detyrimet për taksat dhe tarifat vendore. Sigurisht, që kjo fshirje lehtëson administratën por edhe tatimpaguesit që i mbajnë ato prej vitesh. Fshirja e plotë e këtyre detyrimeve do të lehtësojë sidomos ata tatimpagues të cilët kanë qëllimin të formalizojnë aktivitetin e tyre duke zbatuar legjislacionin ne fuqi.Edhe detyrimet doganore të evidentuara në regjistrat e administratës tatimore deri më datë 31 Dhjetor 2010 fshihen plotësisht. Këtu përfshihen edhe detyrimet për TVSH-në e shtyrë që rezultojnë deri më 31 Dhjetor 2016. Tatimpaguesit duhet të tregohen të vëmendshëm sepse periudha e fshirjes pa kusht pagese për TVSH-në e shtyrë është e ndryshme (më e gjatë) nga ajo për detyrimet e tjera doganore.Sipas Ligjit dhe Udhëzimit përkatës, administrata tatimore/vendore/doganore duhet të bëjë fshirjen e plotë të detyrimeve nga sistemi online. Tatimpaguesit duhet të njoftohen zyrtarisht në lidhje me këtë fshirje. Pra tatimpaguesit nuk kanë detyrimin të ndërmarrin ndonjë hap paraprak në lidhje me zbatimin e kësaj pjese të ligjit.Në lidhje me detyrimet e papaguara të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të cilat u përkasin periudhave tatimore deri në 31 Dhjetor 2010, Ligji parashikon vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave. Ky trajtim është i arsyeshëm pasi detyrimet për to, mbeten gjithnjë të pagueshme përderisa i përkasin përfitimeve të ardhshme shëndetësore dhe pensionale. Udhëzimi parashikon fshirjen automatike të gjobave dhe kamatëvonesave por nuk jep sqarime të mëtejshme në lidhje me pagesën e principalit.Detyrimet që fshihen me kusht pagimin e principalit Detyrimet tatimore, taksat/tarifat vendore, detyrimet doganore si dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të papaguara, të cilat u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit në datën e hyrjes në fuqi të Ligjit të faljes, fshihen me kusht. Specifikisht, tatimpaguesit duhet të paguajnë detyrimin (principal) brenda datës 31 Dhjetor 2017 në mënyrë që të përfitojnë fshirjen/shuarjen e gjobave dhe kamatëvonesave.Detyrimet doganore për shkelje të regjimit të përkohshëm për periudhën Janar 2011 – 31 Dhjetor 2016 fshihen gjithashtu me kushtin që detyrimi të paguhet brenda datës 31 Dhjetor 2017. Edhe në këtë rast periudha e fshirjes me kusht për regjimin e përkohshëm është e ndryshme nga pjesa tjetër e detyrimeve doganore.Tatimpaguesit mund të kryejnë pagesën e principalit deri në fund të vitit 2017. Duket që tatimpaguesi mund ta bëjë pagesën me këste ose të plotë por rëndësi ka që shuma e principalit të paguhet plotësisht brenda datës 31 Dhjetor 207 në mënyrë që të përfitojë nga fshirja me kusht e detyrimeve.Ligji sqaron më tej se falja e gjobave dhe kamatëvonesave zbatohet edhe në rast se tatimi/taksa/tarifa/kontributi është paguar përpara hyrjes në fuqi të tij. Nga ana tjetër, Udhëzimi i nxjerrë në vijim të Ligjit e zgjeron këtë paragraf duke shtuar edhe rastin kur tatimi është zero. Nisur nga këto parashikime të Ligjit dhe Udhëzimit, nuk është e qartë nëse gjobat që janë vendosur në periudhën  subjekt i Ligjit të  cilat lidhen me ulje të gjendjes kreditore të TVSH gjatë procesit të rimbursimit janë subjekt i faljes. Mendojmë që këto gjoba duhet të falen sepse ato trajtohet si rast me tatim zero.Sipas Ligjit, fshirja pjesore e detyrimeve kërkon fillimisht që tatimpaguesit të kryejnë pagesën e detyrimit brenda datës 31 Dhjetor 2017 dhe pas kësaj date administrata shtetërore duhet të kryejë veprimet e nevojshme për të fshirë nga sistemi on-line gjobat dhe kamatëvonesat.Ndërsa për detyrime tatimore për të cilat principali është paguar përpara hyrjes në fuqi të Ligjit, gjobat dhe kamatëvonesat falen automatikisht dhe tatimpaguesi nuk ka nevojë të ndërmarrë ndonjë veprim paraprak për të përfituar nga falja.Fshirja e detyrimeve të tjera Ligji parashikon fshirjen e disa detyrimeve të tjera tatimore.Ajo që ka krijuar konfuzion tek tatimpaguesit është fshirja e gjobave që lidhen me mos deklarimin në afat për deklaratat tatimore të padorëzuara.  Këto gjoba do të fshihen me kushtin që tatimpaguesi duhet të kryente deklarimin online brenda datës 30 Qershor 2017.  Ky afat në disa raste është ngatërruar me afatin për pagimin e detyrimeve tatimore brenda datës 31 Dhjetor 2017.Është e qartë që afati për fshirjen e këtyre gjobave tashmë ka përfunduar dhe tatimpaguesit nuk mund të përfitojnë më prej tij. Administrata tatimore ka publikuar në Korrik edhe njoftimin përkatës si dhe ka njoftuar tatimpaguesit që kanë përfituar nga kjo falje.Ligji parashikon fshirjen e të gjitha detyrimeve tatimore për subjektet e çregjistruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit deri në datën e hyrjes në fuqi të tij. Kjo fshirje është e nevojshme dhe duhet të ishte bërë edhe më parë nga ana e administratës tatimore për ato detyrime tatimore të cilat ishin gjeneruar nga sistemi on-line në mënyrë automatike, ndërkohë që subjekti nuk kishte detyrimin të kryente deklarime tatimore. Fshirja e këtyre detyrimeve do të përmirësojë gjithashtu situatën e detyrimeve të pambledhshme në bilancin e administratës tatimore.Ligji në fjalë përfshin edhe fshirjen e detyrimeve të papaguara, të regjistruara ose jo apo në proces kontrolli, të cilat rezultojnë nga mos lëshimi apo lëshimi me vonesë i autorizimit për përjashtim nga TVSH nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) për aplikime të dorëzuara pranë saj deri më 31 Dhjetor 2014. Gjykojmë se ky parashikim i ligjit është mjaft pozitiv sepse u ka dhënë frymëmarrje shoqërive të sektorit të hidrokarbureve të cilat prej disa vitesh ishin në konflikt me administratën tatimore për mungesën e autorizimeve, apo lëshimin me vonesë të tyre.  Përderisa procedura për lëshimin e autorizimeve nuk ishte e qartë deri në daljen e ligjit të ri të TVSH, edhe penalizimi i shoqërive për mungesën/vonesën e autorizimeve dukej i padrejtë. Në bazë të Udhëzimit, administrata tatimore duhet të ndjekë proceduren e nevojshme, ndërsa tatimpaguesit i kërkohet të bashkëpunojë në rastet e kontrolleve në proces për të dhënë informacionin e nevojshëm në lidhje me datat e aplikimeve pranë AKBN.Disa specifika të tjera të Ligjit Ligji aktual ashtu si edhe ligjet e mëparshme të faljeve fiskale përcakton si vijon:• Subjektet do të përfitojnë faljen për detyrimet tatimore (përjashtuar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore) vetëm pas kompensimit të tepricës kreditore me detyrimet e papaguara. Ky kusht duket i padrejtë sepse i vendos tatimpaguesit që kanë kryer parapagime të tatimeve në kushte të pabarabarta me tatimpaguesit e tjerë. Tatimpaguesi i cili ka teprica kreditore pra ka kryer parapagime ndaj administratës tatimore do të përfitojë pjesërisht nga Ligji, ai përfiton vetëm për pjesën që nuk mbulohet/kompensohet me gjendjen kreditore. Ndërkohë, një tatimpagues që ka detyrime të mirëfillta tatimore dhe asnjë parapagim do të përfitojë më tepër nga Ligji. • Subjektet që janë në proces ankimi do të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore/vendore/doganore vetëm nëse heqin dorë nga procesi. Tatimpaguesit e kanë konsideruar të arsyeshme të zbatojnë këtë nen të Ligjit dhe kanë filluar tashmë me tërheqjet nga procesi i ankimit. Administrata tatimore nga ana e saj ka publikuar në fillim të muajit Korrik, listën e subjekteve që janë në proces ankimi dhe që mund të përfitojnë nga Ligji.Theksojmë se administrata tatimore ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të sensibilizuar tatimpaguesit dhe palët e interesuara në lidhje me zbatimin e Ligjit të faljes. Në faqen e saj të internetit janë publikuar në mënyrë të vazhdueshme njoftimet përkatëse për çdo hap që lidhet me ligjin. Ajo që pritet tashmë nga administrata tatimore është zbatimi në mënyrë të saktë dhe të plotë i tij në mënyrë që çdo tatimpagues të përfitojë atë që i takon nga ky ligj.Nga ana tjetër, tatimpaguesit duhet t’i kushtojnë vëmendje të vecantë afateve të Ligjit sidomos periudhave të faljes meqënëse ato janë të ndryshme për lloje të ndryshme të detyrimeve.Ligji po jep tashmë efektet e tij pozitive për tatimpaguesit dhe administratën në lehtësimin nga borxhet e prapambetura. Ndërkohë qeveria shqiptare duhet të vazhdojë përpjekjet e saj në shmangien e informalitetit dhe forcimin e ligjit për të ndërgjegjësuar tatimpaguesit në lidhje me deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here