Akti Normativ për ndryshimet e buxhetit të vitit 2017 është pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare të ditës së sotme. Mbështetja me 3 miliardë lekë e sektorit energjitik për të përballuar situatën e krizës së prodhimit për shkak të mungesës së reshjeve është ndryshimi kryesor i Aktit Normativ.

Ndër ndryshimet e tjera janë edhe disa rialokime për investimet publike, ndërkohë që është parashikuar reduktimi i shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik.

Nëpërmjet këtij Aktit Normativ është shtuar fondi rezervë i Këshillit të Ministrave me 1,2 miliard lekë dhe parashikohet të përdoret vetëm për emergjencat që lidhen me faktorë natyrorë.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj vuri në dukje se për herë të parë në një vit elektoral nuk ka shkatërrim të financave publike, por kemi sufiçit primar.

“Të ardhurat janë realizuar në 103.2 për qind, ose 7.7 miliardë lekë më shumë se projeksioni. Ndërsa shpenzimet janë realizuar në 98.3 për qind. Por çka është më e rëndësishme, ndonëse në periudhë zgjedhjesh parlamentare, balanca fiskale e qeverisë në korrik është rreth 2.9 miliardë lekë sufiçit, për herë të parë në 27 vite”, vijoi Ahmetaj.

Sipas tij, ndryshimet e bëra në buxhet nuk rrisin borxhin publik. Duke folur për rialokimin e fondeve të investimeve, ministri Ahmetaj theksoi se nuk do të ketë më hapje projektesh nëse nuk do të sigurohen të paktën 20 % e fondeve.

Opozita deklaroi votën kundër Aktit Normativ. “Opozita do të votojë kundër këtij akti normativ dhe treguesit e ekonomisë nuk ashtu ashtu siç i paraqisni ju. Të ardhurat nga TVSH që tregon ecurinë e ekonomisë janë në të njëjtin nivel me një vit më parë. E vetmja takse që ka realizim është TAP dhe kjo vjen nga ligji i rivlerësimit”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here