Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëroi se do të penalizojë kompanitë e sigurimit që nuk dëmshpërblejnë në kohë qytetarët e dëmtuar në aksidente.

“Ligji përcakton qartë që është deri në 90 ditë. Në të gjitha rastet që kalojnë mbi 90 ditë dhe qytetarët do kenë ankesa, por njëkohësisht edhe nga inspektimi që do bëjmë vetë do kemi ndërhyrjen tonë që këtë çështje ta rregullojmë njëkohësisht duke vendosur dhe sanksione ndaj shoqërive”, deklaroi Ervin Koçi, drejtor Ekzekutiv i AMF.

Për periudhën janar-gusht kompanitë e sigurimit paguan 3.44 miliardë lekë dëme, ose sa 32.7 përqind të primeve që kanë paguar qytetarët. Ky është një nga nivelet më të ulëta në rajon.

“Çfarë i takon qytetarit do të marrë në kohën e duhur dhe drejtoria që kemi formuar, drejtoria e re të mbrojtjes së konsumatorit është krijuar pikërisht për këtë qëllim”, shtoi ai.

Kreu i AMF deklaroi se edhe ligji i sigurimit të detyrueshëm do të ndryshojë, për të mos lejuar më luhatjen e madhe të çmimit për siguracionet e makinave.

“Po të shikosh dy herë në vit tregu pëson luhatje të mëdha dhe me ndryshimet ligjore që ne jemi duke përgatitur besoj që kjo çështje nuk do të përsëritet më dhe njëkohësisht konsumatori do të marrë një çmim, i cili i takon sipas shërbimit që ofrohet dhe të ardhurave që ka Shqipëria”, tha Koçi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here