Nga Kasem Seferi

Ashpërsia e paarsyeshme e zbatimit të legjislacionit tatimor nga ana e administratës tatimore gjatë mandatit të parë të Qeverisë Rama 1, bëri që tatimpaguesit të përballen me masa të ashpra, masa që, shpesh, bënë të mundur që një pjesë e konsiderueshme e likuiditeteve të krijohet jashtë sistemit pikërisht si pasojë e masave represive dhe të paargumentuara, rezultat i aksioneve.

Gjoba, me vend dhe pa vend dhe si përfundim … ”një gur në trastën” e buxhetit.

Seanca e parë e Kuvendit të ri të Republikës së Shqipërisë dha  ”sihariqin” për tatimpaguesit me ”luftë kundër informalitetit”.

Mundësia për “t’i shtrënguar” qytetarët që t’i paguajnë tatimet në përputhje me kërkesat e legjislacionit tatimor kërkon një politikë tatimore që pengon shmangien, evazionin dhe mashtrimin tatimor, por një strategji e masave shtrënguese me anë të aksioneve ka kosto tejet të lartë dhe mund të arrihet vetëm ”në qoftë se poshtë shtratit të çdo tatimpaguesi do të ketë një zyrtar tatimori”.”

Ekonomia në hije është vetëm një veprimtari e paligjshme, që ka të bëjë politikën fiskale të qeverisë, sjelljen e zyrtarëve tatimorë dhe aspektet kulturore.

Tatimpaguesit, në mënyrë sistematike, i përgjigjen mënyrës se si trajtohenn nga administrata tatimore; në veçanti, gadishmëria e tatimpaguesve për t’i paguar tatimet në përputhje me kërkesat e legjislacionit tatimor, mbështetet, madje ngrihet, kur zyrtarët tatimorë i trajtojnë ata me respekt (duke zbatuar nenet 32 deri 48 të ligjit 9920, të vitit 2008 ”Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i amenduar).

E kundërta, kur zyrtarët tatimorë i konsiderojnë tatimpaguesit si persona që duhen detyruar për të paguar detyrimet e tyre, tatimpaguesit u përgjigjen duke shmangur të tatuarit në mënyrë aktive.

Aksionet e njëpasnjëshme në katër vitet e mandatit të parë të Qeverisë Rama 1, jo vetëm nuk dhanë të ardhura shtesë në buxhet, por nga ana tjetër rritën koston administrative të të ardhurave të mbledhura.

Çfarë bën njësia speciale në Ministrinë e Financave në zbatim të nenit 48? Përgjigja: Po të vesh të paditur në këtë njësi, në administratën tatimore, do të korrësh dështimin.

Ka shkaqe të ndryshme që u sigurojnë nxitje tatimpaguesve për të hyrë në ekonominë në hije ku, në shumë mënyra, sjellja e tyre është e njëjtë në ekonominë në hije, sjellje që e ndryshon sjelljen ekonomike të tatimpaguesit gjatë dimensioneve të tjera.

Përfundimisht, njohja e pasojave më të gjëra të veprimit të tatimpaguesit për të hyrë në ekonominë në hije, siguron pamje të brendshme në lidhje me vendimin e kundërt, kryesisht, kthimin në ekonominë zyrtare, ose atje ku tatimpaguesi hyn sërishmi si ta ketë për herë të parë.

Për këtë duhen identifikuar kostot dhe përfitimet e lëvizjes nga ekonomia zyrtare në atë në hije dhe anasjelltas dhe për këtë arsye duhen shqyrtuar përfitmet potenciale dhe kostot që duhen konsideruar në vendim – marrje.

Aksionet janë një metodë e vjetër “revolucionare“ e këtyre 27 viteve, nga e cila duhet hequr dorë dhe që të hiqet dorë duhen nga postet këshilluese ata që e bartin një mendësi të tillë arbitrare.

Çdo rregull përfaqëson një kosto fikse për tatimpaguesin, prandaj kjo kosto fikse vendos barrën më të rëndë për tatimpaguesit e vegjël dhe, ky fakt më vete, do të shtynte në ekonominë në hije një pjesë disproporcionale të tatimpaguesve të vegjël.

Faktorët kryesorë që ndikojnë vendimet e sipërmarrësve në ekonomitë në tranzicion për të qenë zyrtar ose jozyrtar janë: liberalizimi politik në raport me shtypjen; zhvillimi i shtetit ligjor dhe mekanizmat e lidhura me masat shtrënguese institucionale; shkalla e kontrolleve administrative në raport liberalizimin ekonomik të ekonomisë zyrtare; barra tatimore zyrtare (të tatuarit e shumfishtë dhe ndryshimin në mënyrë konstante të regjimeve të tatimeve); paqendrueshmërinë makroekonomike, fluturimin e kapitalit jashtë vendit dhe transaksionet barter (mall me mall/shërbim) dhe që e bën të vështirë për të gjetur gjurmët e llogarive të tatimpaguesit.

T’ia lemë kohës të na tregojë se çfarë do të jetë, si do të bëhet, kush do ta bëjë, ku do të bëhet dhe cilët tatimpagues do të përfshijë “lufta kundër informalitetit“ e Qeverisë Rama 2?

Po të nisë dhe vazhdojë në gjurmët e asaj që pamë në mandatin e parë të Qeverisë Rama 1, pa dashur të bëj profeci, me shumë gjasa (mbështetur në përvojën e gjatë në administrimin e mbledhjes së tatimeve dhe në fushën studimore) e shoh të dështuar.

Megjithëatë, për hir të së mirës së përgjithshme, uroj të jem i gabuar, ndoshta, për herë të parë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here