Konferenca e kryetarëve, PD-PS tryezë politike për reformën zgjedhore

0
54

Kreu i Kuvendit Gramzo Ruç kishte thirrur sot Konferenca e Kryetarëve për të diskutuar për ngritjen e komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore. Paraprakisht të gjitha palët politike kanë rënë dakord në parim për nisjen sa më parë nga puna të tij.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho tha për mediat se po punohet për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën.

Nëse përmbyllet deri nesër,  sipas Spahos, cështja do të kalojë në seancë, në të kundërt javën e ardhshme.

“Domosdoshmëria e realizimit të një reforme të tillë, është objektivi kryesor i PD në këtë legjislaturë bazuar në fenomene shumë negative në zgjedhjet e 2013, 2015, 2017, veçanërisht blerja e votës. Në lidhje me këtë çështje dëshirojmë që Komisioni të ketë kohën e nevojshme. Të mos përsëritet eksperienca e viteve të shkuara ku Komisioni është krijuar në periudha afër zgjedhjeve dhe për rrjedhojë nuk ka pasur mundësi të kryejë punën e planifikuar, përfshirë edhe rekomandimit e OSBE-ODIHR. Theksova që duhet të fillojë punë një orë e më parë në mënyrë që në zgjedhjet vendore të 2019 të mund të realizojmë objektivin më të rëndësishëm të kësaj pakete që është votimi dhe numërimi elektronik.

Ka dhe një premtim nga Kryeministri në maj të këtij viti, ku u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme do të votohet dhe do të numërohen në mënyrë elektronike. Prandaj insistuam që Komisioni të fillojë sa më parë nga puna dhe besoj se do fillojë shpejt pasi në parim u shprehën dakord edhe përfaqësuesit e mazhorancës por edhe partia tjetër në opozitë, LSI. Po punohet nga palët për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën. Nëse do arrijmë ti mbyllim deri nesër do të kalojë në seancë, në të kundërt në seancën më të parë, që i bie javën e ardhshme.

Në të njejtën  linjë qëndroi edhe  kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke paralajmëruar një tryezë politike me përfaqësim të nivelit më të lartë mes PD-PS. Sipas tij ka një dialog konstruktiv në Konferencën e Kryetarëve.

“Ka një dialog konstruktiv në Konferencën e Kryetarëve dhe shpresoj të vazhdojë dhe në seancat plenare mes mazhorancës dhe opozitës. Ne si mazhorancë bashkë me opozitën duhet të kemi si qëllim të përbashkët integrimin europian të Shqipërisë. I kam rishprehur PD dhe pjesë tjetër të opozitës dëshirën tonë për të institucionalizuar një ditë e më parë një tryezë politike të një niveli të lartë që të adresojë të gjitha çështjet që na bashkojnë por edhe ato që sot na ndajnë por duhet të na bashkojnë në interes të integrimit europian të Shqipërisë.

Kjo tryezë politike duhet të përmbajë partitë më të rëndësishme të vendit të përfaqësuara në Kuvend, PS, PD dhe sigurisht që përfaqësimi i tyre të jetë në nivelin më të lartë. Kryetari i partisë, kryetari i grupit parlamentar dhe një përfaqësues tjetër i lartë i secilës parti me qëllim që në këtë tryezë të fillojmë të identifikojmë gjërat që na bashkojnë. Për reformën zgjedhore kemi çështje që ka dakordësi, kemi çështje që nuk ka një dakordësi. PD ka të drejtën për të avancuar çështje dhe propozime që duhet të paraqiten në Komision.

Por duhet ta themi që PS nuk mund të jetë shtojcë funksionale e axhendës së PD.Nuk mund të ulesh në një tryezë për të bashkëpunuar me kushte. Shpresoj që Spaho t’ia ritransmetojë këtë mesazh pozitiv edhe zotit Basha me qëllim që këto çështje të rëndësishme që sot na bashkojnë por edhe ato që nuk na bashkojnë por duhet të na bashkojnë, ti adresojmë në këtë nivel”, tha Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here