Brenda fillimit të muajit Dhjetor do të nisë funksionimin në Bashkimin e Tiranës shërbimi e-kiosk, i cili synon të lehtësojë për qytetarët pajisjen me dokumente të ndryshme të lëshuara nga gjendja civile.

Do të jenë 10 kioska elektronike, të cilat do të instalohen pranë Godinës Qendrore të Bashkisë dhe Njësive Administrative, ndërsa shërbimi do të ofrohet 24 orë dhe do të jetë në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.

Platforma do të ofrojë për qytetarët këto shërbime:
Lëshimin e certifikatës se lindjes (me mundësi opsionale që prindërit te kenë mundësinë e nxjerrjes për fëmijën nën 18 vjeç).
Lëshimin e ekstraktit të lindjes (me mundësi opsionale që prindërit të kenë mundësinë e nxjerrjes për fëmijën nen 18 vjeç).
Certifikata e martesës.
Certifikata e shtetësisë
Certifikata e vendbanimit

Krahas këtyre shërbimeve, eKiosk do të ofrojë edhe mundësinë e paraqitjes të kërkesave apo ankesave në formë elektronike.
Për mënyrën e funksionimit të këtyre pikave të vetëshërbimit, Bashkia njofton se qytetarët do të pajisen me broshura për përdorim, por instruksionet do të gjenden edhe në programin e ekioskës. Praktikisht ky shërbim do të funksionojë duke u identifikuar përmes skanimit të letërnjoftimit nga pajisja përkatëse. Më pas qytetari do të zgjedhë shërbimin, e pasi të bëjë pagesën me monedha (makineria kthen kusur) ekioska shtyp certifikatën përkatëse dhe dëshminë e pagesës.

Procesi i tenderimit për këtë shërbim u hap më datë 7 Gusht të këtij viti, ndërsa Bashkia sot ka shpallur edhe ofertën fituese prej 13.7 milionë lekësh, të kompanisë “PBC” shpk me qendër në Prishtinë. Ky operator do të ketë dy muaj kohë pas nënshkrimit të kontratës për zbatimin e projektit, ndërsa do të ngarkohet edhe me detyrën e mirëmbajtjes së shërbimit për 24 muaj shtesë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here