Taksia elektrike sot është një mundësi alternative reale në Tiranë, me ndotje mjedisore zero dhe kosto ekonomike shumë të ulët.

Në kuadër të “Ditës pa makina”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mori pjesë në prezantimin e flotës së parë të taksive elektrike në kryeqytet, si dhe të mjeteve të transportit alternativ të lëvizjes, ndërsa bëri të ditur nismën e Bashkisë së Tiranës për të revolucionarizuar transportin publik, duke nisur me testimin e autobusëve elektrik.

“Në Tiranë, Bashkia ka licencuar rreth 800 taksi të cilat të gjitha bashkë prodhojnë në një vit 3200 ton karbon. Imagjinoni 200 mijë makina dhe 60-70 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë në Tiranë, çfarë ndodh dhe sa mijë ton. Kur Kina që ka patur reputacionin e vendit të mbi industrializuar ka dhënë urdhër që të gjithë makinat që do të prodhohen të reja të jenë elektrike dhe kur Kina që është një vend kaq i madh dhe që luhen kaq shumë interesa ekonomike merr një vendim të tillë të guximshëm, një vend i vogël si Shqipëria apo një qytet si Tirana duhet medoemos ta marrë këtë vendim.  Më vjen mirë që sot kemi kompani taksish, të cilat janë 100% elektrike. Doni të merrni udhëtime taksi, përdorni një nga makinat elektrike të taksive, paguani të njëjtin çmim që prodhon metri, pro ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Transformim do të pësojë edhe transporti urban, ku shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të lëvizë flota e autobusëve elektrikë e cila do të sjellë edhe një ulje të konsiderueshme të ndotjes.

Po kështu, ai bëri të ditur se duke filluar nga muaji i ardhshëm, Bashkia e Tiranës do të nisë testimin e  autobusëve elektrik, ndërsa u kërkoi operatorëve privatë që të zëvendësojnë flotën aktuale të autobusëve, me mjete elektrike.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here