Pronat, si realizohet juridikisht zgjidhja individuale nëpërmjet Strasburgut

0
128

Nga Prof. Dr. Gëzim BOÇARI
Të bëjmë shtet ka përsëritur shpesh Kryeministri Edi Rama gjatë ushtrimit të detyrës si shef i
ekzekutivit shqiptar. Që gjërat t'i themi ashtu siç janë, pas vitit 1945 deri në 1991 Shqipëria
kishte Shtet por kishte shtetin e diktaturës që ndërtoi Enver Hoxha dhe për 45 vjet drejtoi sipas
doktrinës së Marksizëm -Leninizmit. Në atë kohë ligjet zbatoheshin dhe në atë shtet jo vetëm
kundërshtarët politikë, por edhe pronarët që mund të ishin luftëtarë antifashistë të orëve të
para konsideroheshin armiq të klasës (proletarëve), janë burgosur e keqtrajtuar apo
persekutuar si kulakë. Në atë kohë Shteti jepte dënim kapital për një mendim të shprehur në
kafene apo në mbledhje.

Në 1991 revolta popullore përmbysi shtatoren e diktatorit, por mentaliteti mbeti dhe politika u
fut dhe po vazhdon në drejtim të gabuar dhe jo në drejtimin e respektimit të lirive dhe të
drejtave të njeriut. Doktrina ose parimet që kanë zbatuar drejtuesit e partive politike pas 1991
është pëzierje e elementeve të çrregullt të ekonomisë së tregut me kleptokracinë në terren të
papërgjegjshmërisë. Kjo e ka kriminalizuar shtetin. Në këto 26 vjet vazhdon të quhet demokraci
pluralizmi pseudodemokratik, zbërthimi i Shtetit dhe vjedhja sipas modelit të Katovicës që la
pas Ramiz Alia. Në bindjen time kryeministri ka shumë të drejtë për kërkesën të bëjmë Shtet
dhe këtë nuk e kundërshton askush nëse me fjalën Shtet, kuptojmë shtetin demokratik, ndarjen
e politikës dhe drejtësisë nga krimi i organizuar.
Kërkesa e Kryeministrit për të bërë shtet përputhet me kërkesat e të gjithë popullit shqiptar,
por dhe me kushtet e Rezolutës së Parlamentit Europian të datë. 15.02.2017. Këto kërkesa kanë
vlerë të padiskutueshme por këtu ka "diçka" që pengon, diçka që nuk shkon pasi lojrat politike
për 26 vjet i kanë kthyer kërkesat e mësipërme në shifra zero që i mungon numuri një përpara
që ato të marrin vlerën e tyre reale. Në kushtet e sotme të Shqipërisë njëshi i munguar para
zerove është zbatimi i detyrimit të Shtetit për kthimin dhe kompesimin e pronës së grabitur tek
i zoti në përputhje me nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës. Duke mohuar pronën e trashëguar
politika na ka mashtruar dhe masakruar për 26 vjet. Këtë duhet ta kuptojë çdokush që mendon
të mirën e Shqipërisë përfshi të majtë apo të djathtë.
Pas vitit 1991, për 26 vjet vjedhjen e pronave të shqiptarve po e mbështet shteti, noteri,
gjyqtari, drejtori i ZRPP, drejtori i ALUIZNit dhe shumë hallka të tjera sepse nga e majta dhe e
djathta për të maskuar vjedhen e pronës në kushtet e pluralizmit u zbatua platforma e
"Katovicës". Prona private është dallimi midis sistemit diktatorial komunist nga i cili duam të
shkëputemi dhe demokracisë së modelit euroatllntike ku dëshirojmë të shkojmë. Ku shkon
shoqëria shqiptare nëse partitë politike e të dy krahëve vazhdojnë ta anashkalojnë anarkinë e
tutujve të pronësisë?
Me gjyq dhe pa gjyq sistemi i diktaturës në 45 vjet ka pushkatuar 5-6 mijë shtetas. Në Kuvend
kryeministri Edi Rama dhe jo vetëm ai, por edhe deputetë të tjerë kanë deklaruar se për shkak
të anarkisë së titujve të pronësisë kanë humbur jetën mbi 8000 njerëz. Deklarohet se gjyqtarët
nuk justifikojnë pasurinë dhe këtë do ta hetojë Vetingu. Kjo është e drejtë por ky veting, nuk do
jetë i suksesshëm dhe rrezikon të degradojë në gjobëvenie nëse nuk përfshin Kuvendin dhe
Qeverinë, në raport me detyrimet kushtetuese dhe denoncimet tona për pronën.

Bërja e shtetit, demokratik, që respekton të drejtat e njeriut, kërkon bashkimin e pronarëve, të
përndjekurve dhe diasporës për zgjidhjen e drejtë e problemit të pronës së grabitur.
Rivendosja e të drejtës kushtetuese të shtetasve mbi pronën e mohuar dhe të grabitur në
emër të ligjit
1. Prona është një nga prioritetet kryesore për integrimin në Bashkimin Europian, si dhe për
marrjen e statusit si vend anëtar. Ndaj kërkohet ngritja e një strategjie për arritjen e zgjidhjes
përfundimtare.
2. Kthimi dhe kompensimi duhet të përcaktohen me ligj të Kuvendit si detyrim i Shtetit. Sipas
këtij ligji në zbatim të nenit 181 të Kushtetutës, Shteti duhet të hapi regjistrat e shtetëzimit dhe
konfiskimit të pasurive të patundëshme dhe të dallojë se në vitin 1991, pas abrogimit të
Kushtetutës komuniste të vitit 1976, cilat prona janë të shtetit dhe cilat prona janë prona që u
janë konfiskuar qytetarëve dhe Shteti demokratik që në vitin 1991, kishte detyrimin kushtetues
që t'i kthente tek subjekti i shpronësuar, pavarësisht nga zëri kadastral i pronës në momentin e
kthimit.
3. Në zbatim të Kodit të Proçedurës Administrative për aktet absolutisht të pavlefshme, Neni
116 etj, nëpërmjet proceseve të rregullta gjyqësore, Shteti të shpalli NUL vendimet dhe
transferimet e bëra pas vitit 1991, vetëm për ato prona ku Komisionet e pronave dhe
institucionet e tjera të shtetit, pronat që në zbatim korrekt të detyrimeve kushtuese duhet ti
kthenin tek pronari i ligjëshëm, ato i ndryshuan emrin e pronarit dhe i transferuan në përsona
të tretë.
4. Kompesim financiar ose mënyra të tjera kompensimi të pasurive të paluajtëshme të
subjekteve të shpronësuara nga regjimi komunist, ligji të parashikojë vetëm për pronat të cilat
nuk mund të kthehen fizikisht tek pronari original, pasi për shkak të kohës janë asgjesuar dhe
nuk egzistojnë (fabrika, punishte, etj), të pronave që gjatë regjimit diktatorial u tjetërsuan për
nevoja publike si godina banimi, rrugë, spitale ose nevoja të tjera publike si dhe pronat që edhe
sot vazhdojne të përdoren për nevoja publike .
5. Përfundimi i proçesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të jetë procedurë që do të
kryhet nga institucionet shtetërore, brenda një afati te shkurter kohor prej pak muajsh, dhe
prona t'i kthehet subjektit të shpronësuar. Zbatimi nga Shteti i nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës,
eliminon faturën financiare që imponon legjislacioni aktual, eliminon pasigurinë e titujve të
pronësisë dhe kohen e gjatë të parashikuar nga politika aktuale, me pretendimin për zgjidhen e
problemit nëpërmjet kompensimit, hap rrugën për investimet e huaja private, realizon
stabilitetin social dhe ekonomik duke bërë të mundur, zhdukjen e konflikteve ndermjet
familjeve dhe brenda familjes. Në rastet kur subjekti i shpronësuar ka kundërshtime, për
pronën që i kthehet trungut familjar të shpronësuar a do të ketë të drejtën ti drejtohet rrugës
gjyqësore.
Për shkak të mungesës së vullnetit politik, Shoqata "Pronësi me Drejtësi" dhe shoqatat e tjera
të pronarëve "Krahina Jonë", "Bregdeti" etj me shtrirje më të lokalizuar janë investuar
individualisht, për kthimin e pronës tek i zoti. Shoqatat kanë bërë të pamundurën për ta
mbajtur të gjallë kauzën, por drejtuesit e Shtetit për 26 vjet e kanë intriguar zbatimin e
detyrimeve kushtetuese , duke i bërë ligjet ashtu siç ju ka interesuar krerëve të oligarkisë
politike, duke e devijuar kthimin fizik të pronës së grabitur tek i zoti. Përpjekja e Qeverisë
nëpërmjet ligjit 133/2015, për të justifikuar dhe maskuar shkeljet monstruoze me pronën të
akumuluara prej vitit 1991, kanë dështuar pasi defakto këtë ligj e ka rrëzuar Gykata e

Strasburgut. Kundërshtimi i Strasburgut për t'i kompensuar 5 dosje sipas kërkesës e Qeverisë
është gjithashtu garanci për korigjime të rëndësishme në legjislacionin për pronat. Unë nuk
mund të parashikoj kohën dhe nëse do bëhen korrigjime të tjera, apo një ligj i ri që do
detyrojnë legjislativin dhe ekzekutivin shqiptar të zbatojë kushtetutën, por jam i sigurtë se e
drejta e pronës do respektohet. Juridikisht zgjidhja individuale nëpërmjet Strasburgut për çdo
trung familjar realizohet me proçese gjyqesore brenda vendit, ku ankuesi të kërkojë kthimin
fizik të pronës dhe kompensim vetëm për ato pjesë që janë tjetërsuar për nevoja publike, me
vlerën që tashmë GJEDNJ e ka përcaktuar. Pas përfundimit të gjyqeve brenda vendit, nga
ankuesi pa humbur kohë ankesa duhet dërguar në Strasburg. Sa më shumë ankesa të drejtohen
ne Strasburg aq më mirë sqarohet situata për Strasburgun dhe kështu e drejta e pronës afrohet.
Bashkëpunimi bën të mundur këtë qasje ndryshe, më të thelluar që na lejon të shfrytëzojmë të
gjitha mjetet dhe mundesitë demokratike të kohës.
Këto 25 vjet pas vitit 1991 e deri sot kanë bindur pronarët se qëndrimi në sqetullën e kësaj apo
asaj partie politike rezultoi se është dështim i programuar. Që kauza jonë e përbashkët të
zgjidhet mirë, shpejt dhe pa shpenzime kërkon bashkimin dhe solidaritetin tonë në rrugën
politike dhe konkretisht formimin e një formacioni politik kompakt dhe të qartë në kërkesën
për pronat dhe të drejtat e tjera të mohuara. Pronarët, janë të persekutuarit e pas vitit 1991,
ata së bashku me të përndjekurit dhe diasporën janë grupe te lidhura pazgjidhshmërisht me
njera – tjetrën lidhur me kërkesën që shteti të ketë detyrimin ti kthejë secilit pronën e grabitur.
Prona është kërkesë që intreson dhe biznementët që duan të kërkojnë investime të huaja
private, të zhvillojnë industrinë turistike etj.
Në planin shoqëror, nisur nga grupet e intereseve që përfaqesojnë, për problematikat dhe
pengesat që këto dy grupe parësore interesi, hasin në realizimin e misionit te tyre për
rivendosjen e të drejtave të mohuara me dhunë dhe mashtrime prej vitit 1945 e deri sot
Shoqatat e Pronarëve dhe ato të Përndjekurve Politike, janë dy anët e një medaljeje. Këto
shoqata pavarësisht nga mendimet ndryshe apo grindjet eventuale midis kryetarëve, për
renditje në kontributet që ata kanë dhënë, ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën e veprimit
për realizimin e të drejtave të shkelura. Duhet të realizohet një bashkëpunim dhe
bashkërendim, pa asnjë kusht për platformën e pronës, nga të gjitha shoqatat që mbrojnë
interesat e pronarëve dhe të përndjekurve. Nëse kryetarë dhe persona të vaçantë do të gjejnë
sebepe për t'u grindur dhe jo mirëkuptim e bashkëveprim atëhere "Katovicën" , pavarësisht se
kush e instaloi, nuk duhet ta kërkojmë askund tjeter por e kemi në mes nesh. Kryetari i
Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", z. Rrapo Danushi në shkrimi botuar në gazetën "Ballkan" datë
16 Shkurt 2017, ju thotë publikisht politikanëve "Jepini fund katrahurës me pronat". Të njëjtën
kërkesë ka bërë dhe Kryetari i Koalicionit të disa shoqatave të pronarëve z. Axhem Imeri datë18
Shkurt, po në gazetën Ballkan.
Kthimin tek i zoti të pronës së grabitur në përputhje me kushtetutën dhe me vendimet e
Strasburgut është nevojë immediate pë të plotësuar kërkesën e të gjithë shqiptarëve që e duan
Shqipërinë tokë të shqiptarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here