Kroacia – “fëmija problematik” i BE-së! – Maksim Sinemati

0
69

 

Maksim Sinemati

Cfarë po ndodh me Kroacinë, a po bëhet ajo “fëmija problematik” i Bashkimit Evropian (BE)? Sjellja e saj në skakierën politike të përgjithshme evropiane, qëkur ajo ka hyrë në BE, më 2013, duket si një “antireklamë për zgjerimin”! A është kështu tamam, apo nuk është kështu me të vërtetë, por, të paktën, kështu shkruante, ditët e fundit, gazetaprestigjioze zvicerane “Berner cajtung”, duke vënë në dukje se duket se “horizontet për Kroacinë, mbas hyrjes së saj në BE,  janë ngushtuar në vend që të zgjeroheshin. Predikimet e priftërinjve nacionalistë janë të mbushura plot me urrejtje kundrejt partizanëvetë dikurshëm dhe pakicës serbe, ndërkohë që nuk kanë qenë të paktë rastet e pogromeve dhe të diegieve të gazetave të pakicave kombëtare që jetojnë në Kroaci.”

Prej disa muajsh, në vend vazhdojnë debatet e zjarrtë, nëse duhet të lejohet ose jo pllaka përkujtimore ‘Për atdheun jemi gati!’ (parrullë e qarqeve ultranacionaliste në Kroaci), ndërkohë që në vende të ndryshme po shfaqet përshëndetja ustashe fashiste e kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ka shumë nga ata që thonë se presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç me deklaratën e saj për “përshdentjen e kahershme kroate” po i relativizon ustashët që, sikurse dihet, akuzohen se kanë bashkëpunuar me nazistët gjermanë në Kroaci gjatë luftës, shkruan gazeta e mësipërme zvicerane, duke vënë në dukje se faqet e internetit kroat janë të mbushura me epitete të tilla, si “tradhtar”, “çifut racist”, “antikrisht”, “mashtrues”, etj.

Kroacia po i hap probleme vetes edhe sa i përket historisë së saj dhe shembull konkret është ndërrimi i emrit të një prej shesheve më të bukur të Zagrebit. Fjala është për sheshin “Mareshal Tito” që ish-ministri i Kulturës Zllatan Hasanbegoviç, i cili, në vitet 1990, shëtiste nëpër rrugët e qytetit me një kapë fashiste, arriti që ta riemëroi në “Sheshin e Republikës së Kroacisë”.

Sa i perket kryeministrit Andrej Plenkoviç, “Berner cajtung” shkruan se ai duket se “po e humbet kontrollin kundrejt furisë zemërake të krahut nacionalist të partisë së vet konservatore, HDZ (Hrvatska Demokratska Zajednica/Bashkësia Demokratike Kroate), ndërkohë që reagimet e tij janë vazhdimisht të ndryshueshme, duke ia forcuar ngjyrat tablosë së përgjithshme të këtijvendi që po grindet jo vetëm me fqinjët, por edhe me vetveten!

Dhe të mos harrohet se Kroacia, dikur, ka qenë beniamine e Perëndimit, sidomos, e Gjermanisë që e mbështeti diplomatikisht pavarësinë kroate, ndërkohë që ish-kryeministri Ivo Sanader, më pas, e orientoi Kroacinë drejt NATO-s dhe BE-së, para se atë (Sanaderin) “ta rrëzonin përtokë” skandalet e korrupsionit. Po ashtu, kur kryeministër ishte socialdemokrati Zoran Milanoviç, Kroacisë, gjithnjë, i pengoheshin këmbët mbas hyrjes në BE.

“Loja e Kroacisë si e ftuar brenda BE-së, sot e kësaj dite, nuk arriti që të bëhej një histori suksesi. Përkundrazi, ky vend u shndërrua në një ‘fëmijë’ problematik të BE-së. Brukselit i është dashur që të ndërhyjë në dy raste, për shkak të sanksioneve të vendosur nga Kroacia ndaj ‘armikes’ se saj të dikurshme të luftës, Serbisë”, thekson gazeta e lartpërmendur zvicerane, ndërsa e cilëson sjelljen e Kroacisëkundrejt vendeve fqinjë si një “kokëfortësi ballkanike”. Mbështetja te ndjeshmëria nacionaliste në politikën e brendshme ia bën të vështirë Zagrebit që të gjejë gjuhën e kompromiseve me fqinjët; duket se Kroacia nuk e ka aftësinë që t’i zgjidhë konfliktet me fqinjët në një atmosferë korporative dhe si shembuj sillen rastet e mosmarrëveshjeve rreth ndarjes kufitare me Slloveninë, si edhe marrëdheniet me Bosnjë e Hercegovinën dhe Hungarinë.

Gazeta e mësipërme e mbyll shkrimin e saj me një citim të ish-ministres së Jashtme të Kroacisë Vesna Pusiç, se “Kroacia, në të katër anët, ka hyrë, pa qenë nevoja fare, në një difensivë diplomatike, ndërkohë që vihet në dukje se Brukseli po e konsideron, gjthnjë e më shumë, Kroacinë si një vend anëtar që, vazhdimisht, po i shkakton atij më shumë belara!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here