ISSH: Naftëtarët, si  përfitohet  deri në 40 përqind shtesë në masën e pensionit

0
145

 

Kërkesa për të përfituar statusin e naftëtarit dhe dokumentacioni që nevojitet

Instituti i Sigurimeve Shoqërore  njofton se personat që kanë aplikuar për të fituar statusin e naftëtarit aktualisht trajtohen me pension pleqërie dhe kanë dërguar aplikimet e tyre pranë ISSH-së dhe drejtorive rajonale.

 Statusin, sipas ligjit e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e naftës dhe gazit. Këtë status e përfitojnë edhe ata persona që janë të aksidentuar në punë, pavarësisht kohës së punës në këtë industri. Personat që përfitojnë statusin, sipas përcaktimeve me ligj, pajisen me dëshmi zyrtare identifikuese, të përcaktuar nga komisioni i ngritur për këtë qëllim. Ligji u njeh përfitim të gjithë naftëtarëve që kanë dalë në pension dhe sipas viteve të vjetërsisë në punë do përfitojnë nga 1-40% shtesë në masën e pensionit që marrin aktualisht. E drejta për të përfituar pensionin e pleqërisë, sipas këtij ligji, nuk parashkruhet. Personi i cili kërkon të përfitojë pension, e përfiton atë kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së të drejtës për përfitim dhe nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas një viti pas lindjes të së drejtës për përfitimin e pensionit. Personi i cili ka përfituar pension sipas këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve për periudhën gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi. Gjithashtu, përfitimet e caktuara, por të patërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet, ndërsa përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Ndërkaq, personi i cili ka përfituar pension në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.
Dokumentacioni
Të qenët ish-naftëtar vërtetohet me këto dokumente:

Për ish-naftëtarët, libreza e punës e shoqëruar nga një vërtetim i posaçëm zyrtar i lëshuar nga ndërmarrja dhe/ose institucioni ku ka qenë i punësuar, i konfirmuar nga ministria e linjës, ku përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës dhe kohëzgjatja e punës. Ky dokument përdoret edhe për ish-naftëtarët që kanë dalë në pension. Përfitimi i pensionit jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës. Për ish-naftëtarët dhe naftëtarët në punë, konsiderohet punë në industrinë e naftës e të gazit edhe periudha e punës në të njëjtin profesion në shtete të tjera që Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore. Ndërkaq, për të gjithë ish-naftëtarët që kanë dalë në pension, për këtë qëllim duhet t’u drejtohen degëve rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku është depozituar dhe libreza e tyre e punës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here