Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të shpenzojë 7.8 milion lekë për blerjen e infrastrukturës mbështetëse për sistemin e-Tax. Tashmë ky institucion ka realizuar procedurat tenderuese, ndërsa është shpallur edhe firma fituese, që do të bëjë zbatimin e kontratës.

Fondi i vënë në dispozicion ishte 8.7 milion lekë, por oferta e kompanisë fituese ishte më e ulët. Sistemi e-Tax mund të përdoret nga individët dhe subjektet për të bërë online deklarimet pranë tatimeve. Kështu, individët mund të dorëzojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, duke u regjistruar paraprakisht në sistemin e-Feling, përmes plotësimit të disa të dhënave personale.

Ndërkaq, sa i takon sipërmarrjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatime shpjegon se të gjithë tatimpaguesit e kanë të domosdoshëm bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me këtë institucion, ndërsa ky sistem i shërben përmirësimit në ofrimin e shërbimeve, për të sjellë shpejtësi, siguri, dhe transparencë të procesit.

Sipas DPT-së, shërbimet elektronike janë një mënyrë e drejtpërdrejtë për të përmbushur detyrimet ligjore të taksapaguesve nëpërmjet deklarimit elektronik duke evituar kështu vonesat burokratike. Sikurse individët, edhe subjekte e interesuar përpara se të bëjnë deklarimet e tyre online, do t’ju duhet që paraprakisht të krijojnë llogarinë personale, që iu mundëson aksesin në sistem.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,  ky sistem është konceptuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i përdorshëm nga të gjithë pavarësisht ndryshimeve në gjini, grup-moshë apo nivel arsimor.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here