Pavarësisht se Shqipëria ka përfunduar marrëveshjen kushtëzuese me Fondin Monetar Ndërkombëtar një grup ekspertësh kanë mbërritur në Tiranë dhe pritet të jetë pjesë e tryezave të diskutimit me autoritetet shqiptare për programin e ri qeverisës, buxhetin e 2018-s dhe paketën fiskale që do të shoqërojë atë. Ekspertë të Fondit Monetar pritet të zhvillojnë takime me drejtuesit më të lartë të institucioneve financiare shqiptare  si ministria e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj si dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

Sipas burimeve mësohet se në vëmendje do të jenë ndryshimet buxhetore si pasojë e strukturimit të ministrive të cilat janë shkurtuar  dhe kërkojnë një rishikim të shpërndarjes së fondeve.

Drafti i  buxhetit të ri pritet të depozitohet pas pak javësh në Kuvend. Në këto takime do të diskutohet edhe marrëveshja me këtë institucion financiar të rëndësishëm. Pjesë e diskutimeve me Fondin Monetar do të jetë edhe mënyra e mbledhjes së taksës së banesës. Kjo është një mundësi mjaft e mirë për rritjen e të ardhurave në buxhet ndërsa flitet se një nga mundësitë e vjeljes së saj mund të jetë nëpërmjet faturës së ujit.

Në  përfundim të marrëveshjes kushtëzuese që zgjati për tre vjet  dhe në bazë të cilës Shqipëria mori një financim prej 370 milionë eurosh ministri Ahmetaj la të hapur mundësinë për rinovimin e marrëveshjes. Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 dhe përfundoi në shkurt të vitit 2017.

Tashmë mbetet që të merret një vendim politik nëse bashkëpunimi do të jetë  thjesht në nivel këshillues apo  kushtezues.

Shefja e Misionit të FMN-së, Tuladhar deklaroi se kishte rënë dakord me autoritetet shqiptare për prioritetet e politikave në kuadër të Monitorimit pas Programit.

FMN rekomandonte edhe disa prioritete, ndër të cilat, të vijohet zgjerimi i të ardhurave për të fuqizuar financat publike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë në kohë të borxhit, të ulet niveli i kredive nën standard për të fuqizuar stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e huadhënies dhe të çohen përpara reformat strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here