Bashkimi i paralajmëruar i institucioneve që trajtojnë çështjen e pronës është ndër prioritetet e ristrukturimeve masive që po ndërmerr Qeveria “Rama 2”. Një prej versioneve më të mundshme të këtij ristrukturimi,  përfshin ALUIZNI-n, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

Sipas burimeve brenda qeverisë, ky version parashikon bashkimin e ALUIZNI-t dhe zyrës së hipotekave në një drejtori të vetme. Bashkë me adresarin e ri, kjo zyrë do parashikohet të vendoset nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Përmes kësaj shkrirjeje synohet unifikimi i të dhënave të pronave në një organ të vetëm, duke shmangur burokracitë, përplasjet dhe procedurat e stërgjatura të rakordimit të informacionit. Njëherësh Qeveria shpreson se në këtë mënyrë thjeshtëzohen procedurat dhe minimizohen hapësirat për korrupsion.

Mësohet gjithashtu se Agjencia e Trajtimit të Pronës mendohet të lihet jashtë kësaj strukture, për shkak të faturave të larta të kompensimeve ndaj pronarëve.

Unifikimi i institucioneve që trajtojnë çështjet e pronave u paralajmërua këtë verë nga Kryeministri Edi Rama. Sipas tij, është e papranueshme që qytetarët duhet të përplasen në tre zyra të ndryshme për të zgjidhur çështjet e pronësisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here