Në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA, në Bienalen e Arkitekturës së Çikagos, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi para arkitektëve dhe urbanistëve pjesëmarrës disa nga projektet më të rëndësishme që do të realizohen në kryeqytetin shqiptar.

Ai deklaroi se pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e pjesës kryesore të sheshit “Skënderbej”, ka nisur puna për pjesën pas bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe sistemimi i hapësirës midis Bibliotekës Kombëtare dhe Kullës së Sahatit. Sa i përket zhvillimit të një plani rregullues për Lumin e Lanës, kryebashkiaku Veliaj sqaroi se aktualisht ka nisur puna për hartimin e një projekti në bashkëpunim dhe me qeverinë japoneze për të eliminuar derdhjen e ujërave të zeza. Veliaj tha se fillimisht projekti do të zgjidhë problemin për 300 mijë familje që ndodhen në pjesën veriore të qytetit, e më pas do të shtrihet edhe në pjesën jugore.

“Jemi duke bërë një projekt me qeverinë japoneze, e cila vendos të gjithë kanalizimet e zeza në një kolektor që i shmang nga derdhja në Lanë. Në një farë mënyre, Lana ishte kthyer në kolektorin natyral të Tiranës. Kolektori zgjidh të paktën problemin për 300 mijë familje, pra pjesën veriore të qytetit. Do të duhet të bëjmë të njëjtin investim edhe për pjesën jugore.  Brenda 5 viteve nuk do të kemi më ujëra të zeza që derdhen në Lanë, por dy kolektorë që ecin paralelisht”, tha ai.

Plani i Përgjithshëm Vendor do t’i japë Tiranës jo vetëm një infrastrukturë më të mirë, por do të ndikojë edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Pjesë e këtij plani është ndërtimi i Pyllit Orbital, që sikurse tha kryebashkiaku Veliaj, synon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja deri në vitin 2030. “Deri tani kemi mbjellë nga 50 mijë pemë çdo vit, pra 100 mijë në total. Shumë pjesë të zëna, siç ka qenë pjesa jugore e liqenit, janë pastruar nga ndërtimet pa leje dhe janë pyllëzuar, theksoi Veliaj.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here