NATO në Tiranë, Zapad në Moskë Nga Azem Parllaku

0
66

Nga Azem Parllaku

 

 

Shefat e shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s, u mblodhën në kryeqendrën e vendit, i cili buxhetin e mbrojtjes e ka më pak se 1/%, në kundërshtim me detyrimet që një vend anëtar i NATO-s, si Shqipëria duhet t’i përmbushë. Në kushtet kur politika shqiptare shquhet për demagogjinë dhe deklarimet në favor të aleancave pro Perëndimore, duhet theksuar se, ende në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nuk ka një analizë të saktë për kërcënimet që seriozisht janë shqetësuese për vendin, pse jo dhe për rajonin. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati pak kohë më parë, vetëm disa ditë pas vizitës së kreut të CIA-s në Tiranë dhe pasi ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian, vendosën definitivisht që Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat, pa plotësuar të gjitha kushtet dhe se nuk do të ketë madje as një datë të përcaktuar, nëpërmjet një prononcim për organin zyrtar të BE-së “Politico”, ka deklaruar se: “Teksa është e qartë se asnjë vend nuk do të mund t’i bashkohet BE-së në një të ardhme të parashikueshme, do të ishte e rrezikshme të lejohej që Rusia të plotësonte këtë boshllëk në rajon”. As më pak dhe as më shumë të njejtën gjë ka thënë dhe Rama në krah të kancelares Merkel, duke theksuar “Por, po ashtu dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive për rajonin tonë, as ne dhe as miqtë dhe partnerët tanë europianë nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, sepse në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian”. Pothuaj të njejtën gjë përsëriti Rama para gjeneralëve të NATO-s, kur përmendi se, “Megjithatë hartës së NATO-s i mungojnë Bosnje Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia. Kjo zonë ende e papërfshirë organikisht në arkitekturën e sigurisë europiane përbën një faktor paqartësie strategjike për Aleancën tonë ashtu sikundër edhe një territor ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim”. Edhe pse Rama nuk e thotë hapur, realisht aleancat që po përvijohen ndërmjet vendeve të Ballkanit me Rusinë, janë një shqetësim serioz për NATO-n. Edhe Shqipëria vendi ku gjeneralët shtohen me urdher dite, sigurisht ka një interes dhe përgjegjësi të veçantë, mbasi është pjesë organike e rajonit dhe anëtare e Aleancës. Është e vërtetë që Rusia ekziston dhe është zgjuar. Por, në fakt Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë pritur që qeverisja e Tiranës t’u zbulojë atyre Rusinë. Ende edhe sot, diplomatët e Fuqisë më e madhe botërore dhe Bashkimit Europian, e konsiderojnë fjalimin inagurues të Presidenti rus Vladimir Putin në maj të vitit 2000 i cili i’u drejtua popullit të tij dhe opinionit mbarëbotëror me këto fjalë; “Ne duhet medeomos që ta njohim historinë tonë, ta njohim ashtu siç është në të vërtetë, të nxjerrim mësime nga ajo dhe gjithmonë të kujtojmë ata që krijuan shtetin rus, e mbështetën dinjitetin e tij dhe e bënë një shtet të madh, të fuqishëm dhe të gjerë”. Vladimir Putin nuk kish thënë tjetër, veçse po riafirmonte në mënyrë të qartë traditën perandorake të Rusisë. Ndërsa, sot në vitin 2017 roli i Rusisë në ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke e injektuar atë në modelet e saj historike, çoi në një përballje afatgjatë me Perëndimin, për shkak të konfliktit të armatosur në Ukrainë, luftës në Siri, krizës koreanoveriore. “Zapad 2017” është stërvitja më e madhe ushtarake që Moska ka ndërmarrë që nga Lufta e Ftohtë, një shembull ky i frikësimit rus, një demonstrim force që ka si synim t’a mbajë nën kontroll aleaten e vet Bjellorusinë, dhe të mos ngjallë dyshime tek shtetet si Polonia dhe Ukraina. Zapad në rusisht do të thotë Perëndim. Marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë luhaten shpesh, mbasi kjo e fundit mbetet një aktor misterioz, që praktikon një formë enigmatike nacionaliste dhe fetare, e cila përligj misionin e Rusisë për prestigj dhe ekspansion. E shtrirë në njëmbëdhjetë zona kohore, Rusia ka sipërfaqen më të madhe të tokës në krahasim me çdo shtet tjetër bashkëkor. Një vend me përmasa të tilla ende sot, vuan nga frika e sëmurë se është i kufizuar. Sipërfaqja shumë e madhe e Rusisë dhe aftësia e popujve të saj për të duruar parandaluan pushtues të tillë si: Napoleoni dhe Hitleri që synuan për të dominuar Europën. Rusia e njeh Europën si kontinentin me një trashëgimi të nostalgjisë romantike për periudhat e bashkëpunimit, ndërsa Europa ende ka një frikë të paqartë në lidhje me pafundësinë dhe enigmën ruse. Pas përpjekjeve të kombeve kryesore të Europës, ka qëndruar dhe qëndron nxitja për të patur një mardhënie të veçantë me Rusinë, për të parandaluar një përsëritje të presioneve historike.Nga ana tjetër mardhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e kanë provuar muajin e mjaltit. Këto mardhënie u bënë në thelb dypolare, duke qenë se të dyja superfuqitë kundërshtonin njëra-tjetrën përgjatë një vije ndarëse që kalonte nëpër qendrën e Europës. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historikisht kanë kërkuar një prirje globale për shoqëritë e tyre. Idealizmi amerikan rrjedh nga koncepti i lirisë, ndërsa ai rus zhvillohet nga një kuptim i vuajtjes së përbashkët dhe nënshtrimit të përbashkët ndaj autoritetit. Idealizmi amerikan synon izolimin, idealizmi rus ka nxitur ekspansinizmin dhe nacionalizmin. Pavarësisht alternativave bashkëpunuese dhe imagjinatës për t’a bërë Rusinë anëtare të Unionit Europian, apo të NATO-s, përsëri zgjidhja nuk është aq joshëse. Nëse Rusia do të anëtarësohej në Unionin Europian atëherë do të kishim një ndarje të dyja anëve të Atlanitkkut, nëse do të ishte anëtare e NATO-s, Aleanca e Atlantikut do të kthehej në një lloj instrumenti sigurie që ngjason me një mini Kombe të Bashkuara ose në mënyrë alternative në një aleancë antiaziatike. Duke i ditur eksperiencat e saj historike, Rusia ka bërë pak të ndryshojë përcaktimin e saj tradicional për sigurinë, ndërkohë, që Perëndimi ka një detyrim për të nxitur Rusinë, që të heqë dorë nga përpjekjet për të dominuar fqinjët. Në dhjetëvjeçarin e fundit Rusia u bë gjithnjë e më e pasur. Në një botë që ka etje për energji, eksportet e energjisë së Rusisë janë shumë fitimprurëse. Tashmë Rusia i ka përdorur burimet e gazit të saj natyror për t’i detyruar fainjët që t’i përkulen vullnetit të saj. Kjo fuqi ka arritur në zemër të Europës, ku Gjermania dhe ish-satelitët e Bashkimit Sovjetik të Europës Lindore varen të gjithë nga gazi natyror rus. Duke përfituar nga këto burime Rusia, ka krijuar një forcë ushtarake të përshtatshme për mbrojtjen e interesave të saj. Strategjia e madhe e Rusisë synon krijimin e zonave frenuese të thella përgjatë rrafshinës së Europës Veriore, ndërkohë që ka ndërhyrë në konfliktin në lindje të Ukrainës, dhe përpiqet të manipulojë fqinjët tjerë, duke krijuar një ekuilibër të ri rajonal të fuqisë në Europë. Rusia u mbrojt ndaj Napoleonit dhe Hitlerit nëpërmjet thellësisë së vendit. Pa Bjellorusinë dhe Ukrainën, nuk ka thellësi, nuk ka vend për të bërë pazar me gjakun e armikut. Sigurisht, është absurde ta përfytyrosh NATO-n të paraqesë kërcënim ndaj Rusisë, por rusët mendojnë në kuadrin e cikleve njëzetvjeçare, dhe ata e dinë sesa shpejt absurdja bëhet e mundur. Mirëpo, rusët praktikisht po ushtrojnë ndikimin e tyre mbi shtetet baltike, duke përdorur operacionet e maskuara, duke aktivizuar dhe financuar minoritetet ruse, si dhe çfarëdolloj elementi prorus. Kur këto lëvizje shtypen, kjo u jep rusëve një shkas për të përdorur mjetin e dytë të tyre, sanksionet ekonomike, në mënyrë të vecantë duke e ndërprerë rrjedhën e gazit natyror. Dhe së fundi rusët do të bëjnë të ndihet presioni ushtarak nëpërmjet pranisë së forcave të konsiderueshme pranë këtyre kufijve. Argumenti ka funksionuar me rastin e Ukrainës, e ka të ngjarë të funksionojë mbasi rusët po kërkojnë të ushtrojnë presion mbi Perëndimin, duke destabilizuar vendet në kufirin e tyre, ç’ka ka detyruar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos jenë kaq indiferente, në lidhje me këtë strategji të politikës ruse. Gjeneralët e NATO-s, u mblodhën në Tiranë për të diskutuar në lidhje me situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për të dhënë rekomandime për vazhdimësinë e misioneve “Resolute Support” në Afganistan dhe KFOR në Kosovë. Kjo është një konferencë vjetore e liderve ushtarakë të NATO-s, dhe siç ndodh çdo vit flitet edhe për Rusinë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here