Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në seancën e sotme parlamentare, nisi prezantimin e programit qeverisës, ku fillimisht u ndal në vlerësimin e kryetarit të ri të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ai tha se axhendat partiake nuk do të marrin më peng rendin e ditës së këtij Kuvendi, duke shtuar se do të vihet në Parlament për katër vite me radhë dhe në komisionet parlamentare me programin qeverisës. “Asnjëherë s’kam qenë më i sigurt se votimi i dy ditëve më parë i një individi do të sjellë përfitim publik. Jam i bindur se ju nuk do të toleroni në asnjë çast mazhorancën dhe do respektoni barazinë”, ka deklaruar Rama.

Ndër të tjera, Rama është shprehur i vetëdijshëm për gabimet dhe defektet e mazhorancës gjatë programit të 4 viteve të shkuara, “sikurse jemi të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë këtë mandat të dytë”, ka thënë ai.  “Uroj që kolegët opozitës të jenë bashkëpunues. 25 qershori tregoi se nuk fitohet duke i fryrë zjarrit të konfliktit. Në çdo gjë që bëjmë keq i bëjmë keq të ardhmes së fëmijëve tanë. Shumë më shumë thellësi në reformat që bëjnë shtet në të mirë të fëmijëve. Më shumë vëmendje, energji dhe burime financiare tek shkollat dhe mësimi”, ka thënë Rama.

Duke ftuar mazhorancën për bashkëpunim, Rama ka nënvizuar se dy palët kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa i ndajnë.  “Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë. Reputacioni i Shqipërisë në botë është diçka që duhet të na bashkojë. Në asnjë vend një grup politik nuk merr rrugët e botës për të dëmtuar reputacionin e vendit të tij. Të ndërmarrim një nismë të përbashkët, një tryezë të hapur për çështjet që duhet të na bashkojnë e që në peshën e tyre janë paketa e detyrimeve madhore”, ka pohuar Rama, i cili më tej ka prekur edhe çështjen e bashkimit të kombit shqiptar.

“Nuk po flas për Shqipëri të madhe, por për një komb të vetëm shqiptar, që është ende larg së qëni i lidhur, kompakt dhe i unifikuar në të drejtën e tij, siç janë kombe të tjera”, ka thënë Rama.  Një tjetër angazhim i tij, për të cilin ka ftuar edhe opozitën, ka qenë “të bëjmë realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet e vitit 2021”.

Më tej Rama ka uruar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për detyrën e re, ndërsa ka folur për rritjen e bashkëpunimit dhe për unifikimin institucional.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here