Rreth 177 personave nga Shqipëria u është refuzuar dalja nga Shqipëria që prej hyrjes në fuqi në fillim të muajit gusht të masave shtesë në kufi për bllokimin e shtetasve që kanë për qëllim kërkimin e azilit në Francë e në vende të tjera të BE-së.

Policia e Shtetit ka publikuar shifrat e hyrje-daljeve përmes Rinasit, duke theksuar se ndërkohë vijon puna nga ana e Policisë Kufitare për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë.

Vëmendje e veçantë i është dhënë edhe evidentimit dhe bllokimit të atyre shtetasve që kanë për qëllim kërkimin e azilit në Francë e në vende të tjera të BE-së.

Në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të shtetasve që kanë për qëllim kalimin e kufirit për të kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, gjatë kësaj periudhe u është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë: 177 shtetas të refuzuar bazuar në masat shtesë të përcaktuara në urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhër i dalë në fillim të muajit gusht.

Aktualisht janë forcuar edhe masat në drejtim të parandalimit të akteve terroriste.

Gjatë muajit gusht kanë hyrë në Shqipëri 308.497 shtetas shqiptarë e të huaj. Kanë dalë 201.332 shtetas shqiptarë e të huaj.

Gjatë gjithë muajit gusht ka pasur një rritje të madhe të fluksit të hyrjes për në vendin tonë, krahasuar me një vit më parë , ku numri arrin deri në 13.500 shtetas shqiptarë dhe të huaj në ditë.

Aktualisht në Rinas po punohet me 7 sportele në hyrje dhe 5 në dalje. Gjatë gjithë muajit gusht nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, janë arrestuar 9 shtetas, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 8 të tjerë, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave”.

Janë kapur 8 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, për llogari të Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe. Janë proceduar penalisht për veprën penale atë të ”Braktisjes së fëmijëve të mitur” 4 shtetas (dy burra e dy gra).

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here