AP: Të parandalohet braktisja e të miturve shqiptarë në BE

Sociale

Avokati i Popullit ka reaguar për fenomenin e braktisjes së fëmijëve shqiptarë në vendet e BE. Përmes një deklarate për mediat, Avokati i Popullit thotë se zgjidhja e vetme e problemit të braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë duhet të gjendet te kurimi i origjinës së problemit .

Sipas AP prindër të familjeve të varfra shqiptare, i udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive si të braktisur dhe të përfitojnë mbrojtje sociale dhe kjo është një kambanë alarmi për autoritetet shqiptare.

“Në disa media është njoftuar prania e të miturve shqiptarë të pashoqëruar, në rrugët e Italisë. Edhe më herët (2016) Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësimin për këtë dukuri për të cilën sinjalizon shpesh edhe shtypi apo institucionet e vendeve të prekura.

Shpesh, raportohet se menjëherë sapo udhëtojnë në vende perëndimore, kryesisht Itali, prindër të familjeve të varfra shqiptare, i udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive si të braktisur dhe të përfitojnë kështu mbrojtje sociale, siç është detyrim ligjor në këto vende të BE-së” thuhet në njoftim.

Institucioni i Avokatit të Popullit nënvizon se ky fenomen përbën një këmbanë alarmi për autoritetet publike shqiptare.

“Institucioni i Avokatit të Popullit, vëren me shqetësim se ato që nuk po funksionojnë, janë mekanizmat lokalë për adresimin e kësaj çështjeje komplekse e mbi të gjitha për parandalimin e këtij fenomeni, si dhe për rikthimin e sigurt dhe të mbështetur të fëmijëve pranë familjeve të tyre”.

Avokati i Popullit shton se “Zgjidhja më e mirë e problematikës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura”.

Avokati i Popullit është i mendimit se autoriteteve tona qendrore u takon përgjegjësia jo vetëm për mbrojtjen e fëmijëve, por edhe për të shtuar dhe zhvilluar mjetet për përmirësimin e pozicionit të fëmijëve në shoqëri, arsim, kujdes social dhe dalje nga varfëria”.

“Institucionet tona dhe të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë dhe të kuptojmë se interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë prioriteti ynë i përbashkët.
Avokati i Popullit nënvizon se është thelbësore që institucionet tona të tregojnë:

1.Kujdes dhe mbrojtje ndaj fëmijëve, siç parashikohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.

2.Standarte më të larta të shendetit dhe aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor.

3.Të drejtën për arsimim falas dhe të mundësueshëm për të gjithë fëmijët.

4.Asistencë të veçantë për prindërit dhe kujdestarët ligjorë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre për mirërritjen e fëmijëve.

Avokati i Popullit fton të gjitha institucionet, individët dhe grupet që të bashkohen në punën për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të veprojnë e të marrin vendimet në interesin më të mirë të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *