“Bosët e drogës”, Paloka: Rama nuk gjen dot vrimë ku të futet!

0
86

Pas paralajmërimit të djeshëm të kryeministrit Rama se bosët e drogës në Shqipëri duhet të gjenë vrimë ku të futen pasi do të kalojnë në sitën e policisë, vjen reagimi i një demokrati.

Duke ironizuar mbledhjen e djeshme të Task Forcës, deputeti i PD-së, Edi Paloka thotë se të gjithë kriminelët që bëjnë jetë luksi dhe që kanë makina të blinduara janë të mbrojtur nga policia dhe kanë mbështetjen e vetë kryeministrit Rama.

Ai pyet nëse Rama do kapë kriminelët dhe do ju bllokoj makinat dhe asetet?!

“Kriminelët ‘të gjejnë vrimë ku të futen?!’ Cilët kriminelë do të eliminojë Rama? Ata që me makina të blinduara, nën mbrojtjen e policisë, shpërndanin paratë e drogës e blinin votat për Ramën? Kush i ka pajisur kryekriminelët me makina të blinduara në gjithë vendin?”, shkruan Paloka, në një postim të mëngjesit të sotëm në Facebook.

Ai shton se për makinat e blinduara duhet leje e posaçme dhe se pa dhënë leje “shteti” i Ramës askush nuk mund të ketë makinë të blinduar.

Një makinë e mirë e blinduar kushton edhe më shumë se një Ferrari dhe sot këto makina në Shqipëri sipas tij, i zotërojnë Edi Rama, Saimir Tahiri dhe shumica e kriminelëve më të njohur.

“A do i bllokojë Rama këto? Sigurisht që jo! Vërtetë beson Rama se ka njeri në Shqipëri apo në botë që nuk e di se droga kishte, jo mbështetjen, por nxitjen direkt nga Rama për tu kultivuar dhe për tu përdorur si aseti kryesor në blerjen dhe marrjen me dhune të zgjedhjeve…”, vijon më tej qëndrimin e tij Paloka.

Deputeti demokrat deklaron se Edi Rama as nuk do të kap e as nuk do të bllokojë ndonjë kriminel të vërtetë sepse për fat të keq, thotë ai, “është Kryeministri ynë që nuk gjen dot vrimë se ku të futet prej tyre”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here