Sekuestrohet 16 kg kanabis pranë Kakavijës; zhduken trafikantët

Sërish tentativë për të trafikuar lëndë narkotike nga vendi ynë drejt Greqisë. Në pikën kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër, gjatë mbrëmjes së djeshme janë sekuestruar 16 kilogramë kanabis sativa.

Punonjësit e Policisë Kufitare gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër në shtratin e lumit Drino, në drejtim të postës së vjetër Kakavijë, në vendin e quajtur “Shelgu”, kanë konstatuar dy persona, të cilët transportonin dy çanta dore ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike. Efektivët janë vënë në ndjekje të këtyre personave, ku u është bërë thirrje për të ndaluar. Por dy personat duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat.

Në brendësi të çantave kishte dy pako në formë cilindrike me lëndë narkotike kanabis sativa, pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 16 kilogramë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që aktualisht hetuesit po punojnë identifikimin dhe kapjen e trafikantëve. Lidhur me këtë rast materialet i’u referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *